E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mishi i Brazili drejtt Kosovës, bllokohet një tjetër konteiner në Tivar
Bota

Mishi i Brazili drejtt Kosovës, bllokohet një tjetër konteiner në Tivar

Në fokus edhe Shqipëria

Skandali me importet e mishit nga Brazili po merr përmasa të reja, ndërsa rastet e konstatuara në Portin e Tivarit kanë ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë ushqimore dhe kontrollin e produkteve që hyjnë në tregun e Kosovës. Në këtë histori përfshihet edhe Shqipëria, pasi një pjesë e produkteve të importuara nga kompania kosovare e përmendur në rastet e fundit eksportohet edhe në vendin tonë.

Vetëm një javë pasi autoritetet malazeze bllokuan tre konteinerë me mish viçi të skaduar në Portin e Tivarit, një tjetër dërgesë është ndaluar në të njëjtin port. Sipas autoriteteve malazeze, ngarkesa ishte në tranzit dhe kishte si destinacion kompaninë kosovare “Apetit” dhe tregun e Kosovës.

Bëhet fjalë për një konteiner me mish viçi të ngrirë, në të cilin ndodheshin 1,321 pako, me një peshë bruto prej 24,650 kilogramësh. Gjatë kontrollit doganor është konstatuar se afati i përdorimit të produktit kishte përfunduar më 14 maj.

Pas konstatimit, Administrata Doganore e Malit të Zi ka njoftuar menjëherë inspektorin veterinar dhe Policinë, të cilët janë përfshirë në procedurat e mëtejshme, në përputhje me kompetencat e tyre.

Rasti i dytë pas tre konteinerëve me 77 tonë mish

Rasti i ri vjen vetëm pak ditë pas ndalimit të tre konteinerëve të tjerë me mish viçi të ngrirë, me një peshë totale prej 77,841 kilogramësh.

Sipas Administratës Doganore malazeze, në atë rast u konstatua se deklaratat origjinale të produkteve, në të cilat shënohej një datë skadence tashmë e kaluar, ishin hequr dhe më pas ishin zëvendësuar me deklarata ku paraqitej një tjetër afat përdorimi.

Autoritetet kanë bërë të ditur se mishi i bllokuar në tre konteinerët e parë pritet të asgjësohet, pasi të përfundojnë procedurat dhe formalitetet ligjore.

Në kuadër të hetimeve dhe verifikimeve, autoritetet malazeze kanë komunikuar edhe me administratat doganore të vendeve fqinje. Sipas tyre, janë evidentuar parregullsi të lidhura me të njëjtën kompani edhe në Portin e Durrësit, ndërsa informacioni i mbledhur është shkëmbyer me autoritetet doganore përkatëse.

Rasti është përcjellë gjithashtu te Organizata Botërore e Doganave, me qëllim që administratat e tjera doganore të jenë të informuara për mënyrën e dyshuar të manipulimit të dokumentacionit dhe përpjekjeve për qarkullimin e produkteve të mishit me afat të kaluar.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Administrata Doganore malazeze, në dy rastet e fundit është ndaluar tranziti i mishit të viçit me një peshë totale prej rreth 103 tonësh.

Dyshimet për manipulimin e datave të skadencës

Pikërisht ndryshimi i datave të skadencës është elementi që e bën situatën veçanërisht shqetësuese. Problemi nuk lidhet thjesht me praninë e një produkti të skaduar në një ngarkesë ushqimore, por me dyshimet e ngritura nga autoritetet për ndërhyrje në dokumentacionin që përcakton afatin e përdorimit të mishit.

Mishi konsiderohet një produkt me risk të lartë për sigurinë ushqimore dhe çdo përpjekje për të fshehur skadencën e tij mund të përbëjë një çështje serioze për organet ligjzbatuese, nëse konfirmohet përmes hetimeve.

Qendra ALERT ka ngritur më herët shqetësime lidhur me importet e mishit nga Brazili dhe rrezikun që këto produkte mund të paraqesin për konsumatorët në Kosovë. Rastet e fundit të evidentuara në Mal të Zi kanë rikthyer në vëmendje këto paralajmërime dhe kanë shtuar pikëpyetjet mbi kontrollet përgjatë zinxhirit të importit dhe shpërndarjes.

Shqipëria, pjesë e ekuacionit

Çështja nuk kufizohet vetëm te Kosova.

Sipas materialeve dhe të dhënave të bëra publike, kompania “Apetit” ka lidhje tregtare edhe me Shqipërinë, ndërsa në vendin tonë hyjnë produkte mishi përmes importeve nga kompani të ndryshme, një pjesë e të cilave kanë origjinë braziliane.

Kjo e bën të domosdoshëm verifikimin e plotë të rrugës që ndjekin këto produkte, nga momenti i importit deri te shpërndarja në treg, si dhe kontrollin e dokumentacionit, datave të skadencës dhe procedurave veterinare.

Një problem tjetër është përcaktimi i përgjegjësisë institucionale. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri janë institucionet që kanë përgjegjësi për kontrollet e sigurisë ushqimore, në bashkëpunim me strukturat përkatëse shtetërore.

Nëse dyshimet për manipulimin e datave të skadencës konfirmohen nga hetimet, çështja do të kalonte përtej një shkeljeje administrative dhe do të kërkonte një verifikim të plotë nga organet e drejtësisë për përgjegjësitë konkrete të çdo subjekti apo individi të përfshirë.

Për këtë arsye, rastet e zbuluara në Tivar, së bashku me informacionet e mëparshme për hyrjen dhe qarkullimin e mishit me origjinë nga Brazili, kërkojnë një hetim të plotë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Qëllimi kryesor duhet të jetë përcaktimi i zinxhirit të përgjegjësisë: nga importuesit dhe dokumentacioni shoqërues i produkteve, te kontrollet doganore, veterinare dhe ushqimore, deri te mënyra se si këto produkte mund të kenë përfunduar në treg.

Nëse konstatimet e autoriteteve malazeze për manipulimin e dokumenteve dhe datave të skadencës vërtetohen, atëherë bëhet fjalë për një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e konsumatorëve dhe që kërkon reagim institucional dhe hetim penal aty ku ekzistojnë elementë të veprës penale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.