E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mister në vilën e Ergys Agasit, SPAK e BKH hetim për verërat e zhdukura
Lajme

Mister në vilën e Ergys Agasit, SPAK e BKH hetim për verërat e zhdukura

Një episod i pazakontë po hetohet nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, pas zhdukjes së një sasie verërash të shtrenjta që ishin bllokuar gjatë një kontrolli në vilën e Ergys Agasi.

Sipas të dhënave që kanë dalë nga procesi hetimor, gjatë kontrollit në banesën e Agasit, agjentët e BKH zbuluan një qilar me shishe verërash të prodhimeve shumëvjeçare, pa pullë fiskale. Vlera e tyre, sipas një akt-vlerësimi paraprak, mendohet të kalonte shifrën e 1 milion eurove.

Në zbatim të ligjit për luftën kundër kontrabandës, verërat u bllokuan dhe objekti u vendos nën ruajtje nga policia dhe hetuesit doganorë, në pritje të sekuestrimit dhe transferimit në ambientet e doganave.

Por situata mori një kthesë të papritur të nesërmen. Kur autoritetet u rikthyen për të kryer sekuestrimin formal të mallrave, rezultoi se shishet e verës nuk ndodheshin më në vilë. Sipas informacioneve të siguruara nga burime pranë hetimit, ato ishin larguar nga Eno Agasi, pasi rojet policore dhe hetuesit doganorë ishin tërhequr nga objekti.

Dyshohet se largimi i forcave nga vila ishte urdhëruar nga drejtues të strukturave shtetërore, çka mundësoi heqjen e mallrave të bllokuara.

Pas këtij zhvillimi, SPAK dhe BKH kanë hapur një procedim penal të veçantë për të identifikuar zyrtarët që dhanë urdhrin për tërheqjen e policisë dhe hetuesve doganorë nga objekti.

Në fokus të hetimit janë drejtues të Policia e Shtetit, strukturat e Doganat Shqiptare si dhe zyrtarë të Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për të verifikuar nëse ka pasur urdhra të drejtpërdrejtë apo mosveprime që mundësuan zhdukjen e mallrave të bllokuara.

Sipas burimeve nga hetimi, janë marrë në administrim të gjitha dokumentet që lidhen me operacionin: procesverbalet e kontrollit në vilë, akt-vlerësimet për sasinë dhe vlerën e verërave, filmimet, si dhe listat me emrat e policëve dhe hetuesve doganorë që kishin detyrën për ruajtjen e objektit.

Një tjetër element që po verifikohet lidhet me faktin se agjentët e BKH nuk arritën të arrestonin Ergys Agasin, pasi ai ishte larguar nga Shqipëria para ekzekutimit të urdhër-arrestit. Hetuesit dyshojnë se ai mund të jetë njoftuar paraprakisht për operacionin nga persona që kishin dijeni për vendimin.

Burime nga hetimi nuk përjashtojnë mundësinë që përgjegjësia për urdhrin e largimit të forcave nga vila të ngjitet deri në nivele të larta drejtuese të institucioneve të përfshira.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.