E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Moti i keq bën “kërdinë në Kosovë me përmbytje masive
Bota

Moti i keq bën “kërdinë në Kosovë me përmbytje masive

Reshjet e forta të shiut që kanë përfshirë Kosovën kanë sjellë situata problematike në disa zona të komunës së Rahovecit, ku përmbytjet kanë krijuar pengesa të mëdha për qarkullimin dhe lëvizjen e përditshme të qytetarëve. Rrugë të tëra lokale janë mbuluar nga uji, ndërsa në disa raste përmbytjet kanë depërtuar në oborret e banesave, ambientet e bizneseve dhe parkingjet nëntokësore.

Gjendja paraqitet edhe më e rënduar në zonat rurale, ku sasi të konsiderueshme uji kanë përmbytur tokat bujqësore. Dëmet janë të ndjeshme sidomos për kulturat e hershme, të cilat nuk kishin arritur ende të dilnin në treg. Banorët e prekur raportojnë humbje të mëdha në prodhim, ndërkohë që pritet një vlerësim zyrtar nga institucionet përkatëse për përmasat reale të dëmit.

Pamjet nga terreni tregojnë qartë vështirësitë me të cilat përballen drejtuesit e mjeteve, ku në disa segmente niveli i ujit ka qenë aq i lartë sa ka bllokuar plotësisht kalimin. Në disa raste, automjetet janë mbuluar pjesërisht nga uji, duke rritur rrezikun për dëmtime dhe incidente.

Problemet nuk janë kufizuar vetëm në Rahovec. Edhe në Prizren reshjet kanë shkaktuar përmbytje në disa rrugë kryesore gjatë orëve të para të mëngjesit, duke rënduar ndjeshëm trafikun dhe duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Situata është bërë më e ndërlikuar në hyrje të qytetit, në segmentin që lidh autostradën me pikën kufitare të Vërmicës.

Fluksi i lartë i mërgimtarëve që po kthehen në Kosovë për pushime, i kombinuar me kushtet e motit, ka sjellë ngarkesë shtesë në qarkullim. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në pikën e Vërmicës pritjet në hyrje nga Shqipëria kanë qenë relativisht të shkurtra, nga 5 deri në 10 minuta, ndërsa në orët e para të ditës është regjistruar kolonë automjetesh me gjatësi rreth 40 metra.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin zonat e përmbytura dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve, ndërsa ekipet në terren vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet aty ku është e nevojshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.