E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Moti i keq, Ministria e Mbrojtjes njofton evakuime të menjëhershme
Flash

Moti i keq, Ministria e Mbrojtjes njofton evakuime të menjëhershme

Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një njoftim urgjent për evakuimin e menjëhershëm të banorëve në Bashkinë Vlorë, konkretisht në Njësinë Administrative Novoselë, për shkak të situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Sipas njoftimit zyrtar, masa e evakuimit po ndërmerret në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile, si dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile. Autoritetet theksojnë se vendimi ka karakter emergjent dhe hyn në fuqi menjëherë.

Procesi i evakuimit do të realizohet përmes një koordinimi të ngushtë ndërinstitucional mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektit të Qarkut Vlorë dhe strukturave vendore të emergjencave civile. Në bazë të legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin dhe zbatimin e evakuimit në territorin përkatës.

Autoritetet bëjnë me dije se gjatë evakuimit do të kenë prioritet absolut:

  • fëmijët,

  • të moshuarit,

  • personat me aftësi të kufizuara,

  • familjet që ndodhen në zona të izoluara apo me akses të kufizuar.

Transporti për largimin e banorëve nga zonat e rrezikuara do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), si dhe Forcat e Armatosura.

Sa i përket strehimit të qytetarëve të evakuuar, Ministria e Mbrojtjes sqaron se menaxhimi i tyre do të kryhet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, strukturat shëndetësore dhe shërbimet sociale, sipas nevojës. Gjatë këtij procesi do të bëhet regjistrimi i personave të evakuuar në ambientet e strehimit të përkohshëm, sigurimi i nevojave bazë si ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, si dhe informimi periodik mbi ecurinë e situatës.

Në përfundim, autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e dhëna në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse, duke theksuar se çdo kërkesë për ndihmë duhet të adresohet pranë institucioneve publike të angazhuara në operacionin e emergjencës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.