Moti i keq në vend, lumi Lana në prag të daljes nga shtrati
Reshjet intensive të shiut kanë sjellë përmbytje të konsiderueshme në disa zona të vendit, duke krijuar probleme serioze në qarkullimin rrugor, banesa dhe infrastrukturë, veçanërisht në Durrës dhe Lezhë.
Ndërkohë, situata paraqitet alarmante edhe në Tiranë, ku lumi Lana është fryrë ndjeshëm dhe rrezikon të dalë nga shtrati. Pika më problematike mbetet zona e Pallatit me Shigjeta, ku uji ka arritur pranë lulishtes dhe ekziston rreziku i përhapjes edhe në rrugët përreth.
Gjendje e rënduar raportohet edhe në Novoselë, ku niveli i lumit Vjosë ka shkuar në kuotën 8 metra. Autoritetet paralajmërojnë se nëse niveli kalon kuotën 8.5 metra, rrezikohen përmbytje në zonat përreth, duke shtuar frikën dhe pasigurinë tek banorët.
Situata mbetet shqetësuese, pasi prurjet e larta të ujit nga Përmeti dhe Memaliaj vijojnë të mbeten të qëndrueshme. Përkeqësimi i kushteve hidrike ndikohet edhe nga era bregdetare, e cila pengon derdhjen normale të lumit në det.
Banorët e zonave të prekura shprehen të indinjuar, duke theksuar se përmbytjet janë një problem i përsëritur ndër vite dhe se, sipas tyre, mungojnë masat konkrete dhe afatgjata për parandalimin e këtyre situatave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



