Mount Tirana 205 metra e lartë/ KKT miraton lejen për kullën 58 kate tek rruga e Barrikadave

Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë miratimin për ndërtimin e një kulle me lartësi prej 205 metrash në Rrugën e Barrikadave. Leja me kusht për projektin e qëndrës multifunksionale “Mount of Tirana” u miratua në mbledhjen e datës 8 mars të KKT-së.

Sipas dokumenteve, kulla, e cila do të ndërtohet nga kompania Nova Construction 2012, do të ketë 58 kate mbi tokë dhe 7 kate nën tokë. Projekti është hartuar nga studio daneze e arkitekturës Cebra.

“Mount of Tirana” do të jetë ndërtesa më e lartë në Shqipëri deri tani, pasi kulla tjetër me rreth 60 kate është miratuar në rrugën e Kavajës nga kompania Clasic e biznesmenit Agron Papuli.

Projekti parashikon hapësira të ndryshme, jo vetëm për zyra, por edhe për rezidencë, hotel dhe argëtim.

“Mount of Tirana” ishte projekti fitues i prezantuar në tetor të vitit të kaluar në një eveniment të veçantë për zgjedhjen e qendrës multifunksionale të Tiranës. Juria e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe një grup arkitektësh të njohur shpallën “Mount of Tirana” si projektin fitues, ndërsa në garë ishin prezantuar 5 projekte nga studio të huaja.

Përpara miratimit, “Mount of Tirana” u parashikua me një lartësi prej 185 metrash, por në variantin përfundimtar, lartësia u rrit në 205 metra. Miratimi i kullës më të lartë në Tiranë vjen në një kohë kur ka debat të thellë mbi rritjen masive të kullave me shumë kate në kryeqytet. Kjo konkurrencë ka qenë aq e ngushtë sa rekordi i lartësisë së kullave thyhet vit pas viti.

Fillimisht, kullat me 20 kate ishin norma, më pas u miratua Intercontinental me 33 kate të biznesmenit Ramë Geci. Rekordi u thyer nga Doën Town One e Shefqet Kastratit, e cila fillimisht u miratua me 37 kate, por më vonë leja u ndryshua në 40 kate. Tani, “Mount of Tirana” e Ilir Shtufit dhe “Bofill Tower” e Agron Papulit janë pjesë e podit të kullave më të larta në Shqipëri.

Publikuar nga Publik Media