“M’u errësua gjithçka”, Felix Bilani rrëfen momentin kur u sulmua
“Rashë përtokë, më sulmoi një person me uniformë policie”
Fotoreporteri Felix Bilani ka treguar publikisht përvojën e rëndë që përjetoi gjatë protestës kombëtare të opozitës, duke deklaruar se u godit me sprej piperi drejtpërdrejt në fytyrë, çka i shkaktoi humbje të menjëhershme orientimi dhe e rrëzoi në tokë.
Bilani e cilësoi ngjarjen si të paprecedentë, duke theksuar se në gjithë vitet e protestave në Shqipëri nuk kishte parë një veprim të tillë ndaj gazetarëve apo protestuesve. Ai përshkroi një situatë tejet të tensionuar pranë selisë së Partisë Demokratike, ku sipas tij ndodheshin mjete policie, topi i ujit dhe deputetë të PD-së të përfshirë në përplasje verbale me efektivët.
Sipas rrëfimit të tij, në momentin e incidentit po ushtronte detyrën profesionale, duke fotografuar dhe filmuar për redaksinë. “Në një çast gjithçka u errësua. Ndjeva sprajin në fytyrë dhe për disa sekonda rashë përtokë”, tha Bilani, duke shtuar se personi që e goditi ishte i veshur me uniformë policie.
Pas ngjarjes, fotoreporteri u transportua me ambulancë, ku iu dha oksigjen. Ai ngriti shqetësimin për përdorimin e pakontrolluar të sprejit piperi, duke theksuar se pasoja të tilla mund të jenë të rënda për persona me probleme shëndetësore. “Jam diabetik dhe kardiak. Policia duhet të jetë e vetëdijshme për rrezikun që mbart përdorimi i këtij mjeti”, u shpreh ai në emisionin “Studio24”.
Më pas, Bilani u dërgua në QSUT, ku efektet e sprejit nisën gradualisht të zbeheshin. Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar fizike dhe psikologjike, ai vendosi të largohej nga spitali me vullnetin e tij. “Firmosa për dalje me dëshirë dhe shkova në shtëpi. Kam ndjekur këshillat e mjekëve, duke konsumuar ujë dhe qumësht”, tregoi ai.
Edhe një ditë pas incidentit, Bilani pohon se pasojat vazhdojnë të jenë të pranishme. “Sytë i kam ende të rënduar, sepse spraji u përdor nga një distancë shumë e afërt”, përfundoi fotoreporteri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



