Mund t’u thyesh këmbët studentëve, por jo dinjitetin!
Gjekmarkaj shpërthen pas dhunës ndaj studentëve
Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe deputeti Agron Gjekmarkaj ka reaguar ashpër pas përplasjeve mes policisë dhe studentëve gjatë protestës në Tiranë, duke akuzuar qeverinë se po u përgjigjet kërkesave të të rinjve me dhunë, arrogancë dhe përçmim.
Në reagimin e tij publik, Gjekmarkaj ndalet te pamjet e studentit të lidhur te kangjellat e Ministrisë së Arsimit dhe te lëndimet e pësuara nga protestuesit, duke i cilësuar ato si tregues të mënyrës se si pushteti përballet me qytetarët që kundërshtojnë.
“Policët që u thyen këmbët studentëve janë fytyra e vërtetë e kësaj qeverie! Studenti i lidhur te kangjellat e Ministrisë është fytyra e Shqipërisë reale!”, shkruan ai.
Demokrati u bën thirrje prindërve të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre, ndërsa pedagogëve u kujton përgjegjësinë morale për të mbështetur studentët në protestat e tyre. Sipas tij, uniforma e shtetit nuk duhet të përdoret për të mbrojtur interesat e pushtetit politik apo për t’u kundërvënë qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e protestës.
Gjekmarkaj: Studentët përballen me pasiguri për të ardhmen
Në reagimin e tij, deputeti e lidh revoltën studentore jo vetëm me përplasjet e fundit me policinë, por edhe me problemet që, sipas tij, rëndojnë mbi të rinjtë shqiptarë.
Ai rendit pasigurinë për punësimin, ndikimin e lidhjeve partiake në mundësitë profesionale, patronazhimin politik dhe kostot e larta të jetesës në Tiranë, veçanërisht çmimet e qirave dhe vështirësinë për të siguruar një banesë.
Sipas Gjekmarkajt, këto rrethana e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për të rinjtë të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe dinjitoze në vendin e tyre.
Ai kritikon gjithashtu vazhdimësinë e drejtimit politik, duke vënë në dukje se breza të tërë studentësh janë rritur nën të njëjtën qeverisje. Në këtë kontekst, përmend kryeministrin Edi Rama dhe ministren Mirela Kumbaro, të cilën e lidh me vijimësinë e pushtetit ndër vite.
Për Gjekmarkajn, pakënaqësia e të rinjve është e lidhur edhe me një sistem politik që, sipas tij, kufizon rotacionin dhe ushtron presion ndaj kundërshtarëve. Ai e përmend edhe miratimin e reformës territoriale pa konsensusin e opozitës si një tjetër shembull të mënyrës se si mazhoranca po i çon përpara vendimmarrjet e saj.
“Uniforma i përket shtetit, jo Edi Ramës”
Një pjesë të rëndësishme të reagimit, deputeti ia kushton rolit të Policisë së Shtetit dhe përgjegjësisë për veprimet e kryera gjatë protestës.
“Uniforma i përket shtetit, jo Edi Ramës! Organet e sigurisë duhet të mbrojnë popullin, jo qeverinë që nuk do populli!”, shprehet Gjekmarkaj.
Ai kërkon identifikimin dhe hetimin e personave përgjegjës për dhunën, si dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë. Sipas tij, institucionet duhet të garantojnë të drejtën për protestë, sigurinë e qytetarëve dhe respektimin e dinjitetit njerëzor.
Gjekmarkaj kritikon gjithashtu reagimin e qeverisë ndaj protestuesve, duke pretenduar se përdorimi i forcës nuk e zgjidh pakënaqësinë e të rinjve, por thellon përplasjen mes qytetarëve dhe pushtetit.
Në fund të reagimit, ai rikthehet te mesazhi për studentët dhe qëndresën e tyre, duke theksuar se lëndimet fizike nuk mund të shuajnë kërkesën për dinjitet dhe liri.
“Mund t’u thyesh këmbët studentëve, por nuk mund t’ua thyesh dinjitetin”, përfundon Gjekmarkaj.
Reagimi i nënkryetarit të PD-së vjen në një klimë të tensionuar pas protestës studentore, ku janë raportuar përplasje me policinë dhe dëmtime të protestuesve. Ndërkohë, përdorimi i forcës nga efektivët dhe trajtimi i personave të shoqëruar janë bërë objekt verifikimesh nga institucionet përgjegjëse.
Reagimi i plote:
POLICËT QË U THYEN KËMBËT STUDENTËVE JANË FYTYRA E VËRTETË E KËSAJ QEVERIE! STUDENTI I LIDHUR TE KANGJELLAT E MINISTRISË ËSHTË FYTYRA E SHQIPËRISË REALE!
Pamjet e policëve që dhunuan studentët dhe të studentit të lidhur te kangjellat e ministrisë janë dëshmi e një pushteti që përballet me qytetarët përmes forcës, arrogancës dhe përçmimit.
Shoqëria duhet të jetë me studentet, prindërit nuk duhet ti lënë vetëm, pedagoget e kanë detyrim moral të jenë krah tyre!
Uniforma e shtetit nuk mund të përdoret si mburojë e pushtetit politik dhe as si armë kundër atyre që protestojnë.
Ervin Demo ka qënë pedagog nuk mund të sillet si kasap në mish njeriu, duhet ta refuzojë këtë metamorfozë!
Pas 135 ditësh protestash, pushteti u tremb, por, sapo mendoi se rreziku kishte kaluar, u rikthye te gjuha provokuese dhe triumfaliste.
Studentët protestojnë sepse diplomat nuk u garantojnë të ardhmen, punësimi kushtëzohet nga lidhjet partiake, familjet e tyre përballen me patronazhimin politik dhe kostot e jetesës, veçanërisht qiratë në Tiranë, për të blerë një shtepi nuk mjafton një jetë!
Të tilla rrethana ua bëjnë të pamundur ndërtimin e një të ardhmeje dinjitoze.
Pakënaqësia e tyre lidhet edhe me një sistem politik që nuk ndryshon, që kontrollon , piloton, të merr voten me shantazh.
Kur këta të rinj ishin katër vjeç, Mirela Kumbaro ishte ministre e Kulturës; sot, kur nisin universitetin, e gjejnë sërish në qeveri, tashmë në krye të arsimit, 14 vite pa nderprerje.
Ky është modeli i ofruar: një brez rritet, ndërsa pushteti mbetet po ai! Brezat ndërrojnë por Kryeministër gjithmonë është Edi Rama dhe një parti shtet!
Skandalet shtohen, rotacioni politik bllokohet dhe vendimmarrja institucionale shoqërohet me presion e përçmim ndaj kujtdo që kundërshton.
Reforma territoriale u miratua në këtë klimë, si një tjetër dëshmi e arrogancës së pushtetit edhe për të thyer moralin e protestuesve!
Përballë revoltës së studentëve, qeveria zgjodhi shkopinjtë, dhunën dhe përçmimin.
Policia nuk duhet të shërbejë si ushtri private e partisë në pushtet por po sherben si e tillë.
Uniforma i përket shtetit, jo Edi Ramës! Organet e sugurisë duhet të mbrojnë popullin jo qeverinë që nuk do populli!
Përgjegjësit për dhunën duhet të identifikohen, të hetohen dhe të japin llogari. Një ditë do të ndodhë.
Institucionet duhet të garantojnë të drejtën e protestës, sigurinë e qytetarëve dhe respektimin e dinjitetit njerëzor.
Shqipëria nuk është koloni dhe studentët nuk mund të trajtohen si njerëz që mashtrohen me pasqyra si indigjenet në mesjete nga ushtaret e Kolombit !
Mund t’u thyesh këmbët studentëve, por nuk mund t’ua thyesh dinjitetin. Do të dalin më të shumtë për ta mbrojtur.
Mund të godasësh protestuesit, por nuk mund ta fshehësh dështimin e një pushteti që ka frikë nga rinia dhe nga liria.
Kur pushteti u përgjigjet studentëve me dhunë, ai nuk demonstron forcë; ai firmos aktakuzën kundër vetvetes! Mbrëmë me shtazerinë e dhunes ai demostroi mjerimin e vet faqe gjithe Botes!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



