Murrizi shpërthen ndaj PD-së: Turp dhe heshtje vrasëse!
Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar pas zgjedhjeve të pjesshme për 5 bashki, duke e quajtur humbjen e opozitës një “kambanë alarmi” për çdo opozitar.
“Pjesëmarrja në zgjedhjet e 5 bashkive tregoi qartë refuzimin e qytetarëve ndaj politikës hipokrite që çdo ditë e më shumë është zbuluar se pazaret prevalojnë mbi parimet dhe ‘lufta’ është thjesht për t’u dukur ndërsa për gjërat madhore e me interes të përbashkët janë NJË”, tha Murrizi.
Ai shtoi se humbja me kandidatë të “pavarur” është një turp që duhet ta hanë ata që e kanë gatuar:
“Ky është një turp që duhet ta hanë me garuzhde ata që e gatuan me lugë gjelle. Po për çfarë duhet një opozitë kur ajo nuk nxjerr kandidatë përballë pushtetit në zgjedhje? Pse quhet formalisht opozitë kur me këtë stil kandidatësh i shërben pushtetit?”
Murrizi kritikoi ashpër edhe deputetët aktualë të PD-së, të cilët sipas tij, kanë shmangur kontaktin me qytetarët dhe nuk kanë marrë pjesë në fushatë:
“Keni qysh në 11 maj, pra 6 muaj që asnjëri prej jush, mender deputetë të opozitës, nuk keni shkuar as për kafe në qarqet ku morët mandatet sepse e dini mirë që nuk keni as kurajo e as dinjitet të takoni qytetarë. Heshtja vret më shumë se sa çdo reagim i JUAJI, prandaj mos heshtni para një tufe vemjesh që kanë kapur prej fyti PD dhe opozitën”, shkruan Murrizi.
Ai përfundoi me një thirrje të drejtpërdrejtë për demokratët:
“Koha që të duartrokisni kot për t’i bërë qejfin udhëheqësit dhe për t’u dukur si militant duhet të marrë fund, përndryshe nuk do ngelen më as për të duartrokitur deri në zgjedhjet e vitit 2029”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



