Ndalohen drejtoresha e Postës Shqiptare dhe dy vartëset e saj
Tre punonjëse të filialit të Postës në Durrës janë ndaluar nga autoritetet pas dyshimeve për shkelje të rënda në administrimin e fondeve. Në fokus të hetimeve janë drejtuesja e filialit Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtarja Paola Dana.
Veprimet procedurale janë ndërmarrë menjëherë pas kallëzimit penal të bërë nga Posta Shqiptare. Prokurori i çështjes, G. Frëngu, ka aktivizuar hetimet dhe ka kërkuar bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, duke çuar në përballjen e tre zyrtareve me akuzat për shpërdorim detyre dhe abuzim me vlera monetare.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare kishte vendosur shkarkimin nga detyra të drejtueses së filialit në Durrës, pas evidentimit të parregullsive gjatë kontrolleve të brendshme financiare. Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për probleme në menaxhimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave, duke sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm.
Institucioni ka reaguar publikisht duke sqaruar se shuma e dyshuar e abuzuar nuk ka lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve, duke synuar të qetësojë opinionin publik dhe përfituesit e këtyre shërbimeve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj çështjeje dhe për të përcaktuar përgjegjësitë individuale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



