Ndërron jetë në reanimacionin e QSUT-së “i forti” i Vlorës
Ndërron jetë në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë i dënuari Fotaq Zaharia, i njohur edhe si një nga “të fortit e Vlorës”.
Drejtoria e Burgjeve bën me dije se 64-vjeçari ka humbur jetën në orën 01:10 të mëngjesit të sotëm (26 Gusht), në Reanimacionin e QSUT.
“Zaharia ishte shtruar në spital me isuficencë respiratore dhe po trajtohej që prej datës 16 Gusht 2024. Përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore kërkoi transferimin e tij në QSUT për kujdes të specializuar. Drejtuesit e Institucionit, Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) janë njoftuar për hapat e mëtejshëm procedural”, bëhet me dije për rastin, teksa shtohet se “Drejtoria e Burgjeve i ka shprehur ngushëllime familjes”.
Kush është Fotaq Zaharia?
Zaharia u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me njëçerek shekulli burgim. Ai u arratis nga dhomat e paraburgimit në Vlorë në vitin 2001, për t’u kapur më pas dhe nënshtruar izolimit, por pas disa vitesh shfaqi probleme të theksuara shëndetësore.
Operacioni “Forca e Ligjit”, OFL, nisi një hetimin pasuror ndaj tij katër vite më parë.
Fotaq Zaharia, i cilësuar gjatë viteve 1997-2007 si i forti i Vlorës, për shkak të grabitjeve dhe pengmarrjeve me armë që kryente, kaloi në sitën e verifikimit financiar.
Ndër të tjera Prokuroria arriti t’i provonte akuzën e grabitjes me armë, pengmarrjen e gruas së një biznesmeni në Vlorë dhe “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliut.
Rekursi në Gjykatën e Lartë
Përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë, Fotaq Zaharia pretendonte se “mbajtja në kushte ç’njerëzore dhe degraduese, të papajtueshmërisë së gjendjes shëndetësore me burgimin, i rrezikon shëndetin dhe jetën”. Në janar të 2007 kur edhe u arrestua, rezultonte si një nga 10 personat më të kërkuar në Shqipëri.
Akuza më e rëndë ishte plagosja e shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliu, të cilën e kreu bashkë me Armando Begën, shokun me të cilin ishte arratisur nga qelitë e paraburgimit të Vlorës në vitin 2000.
Fotaq Zaharia, u ndalua në banesën e vjehrrës së tij në Vlorë, dhe nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, mbeti i plagosur, pas të cilës erdhën edhe përpjekjet e tij të vazhdueshme me drejtësinë vendase dhe ndërkombëtare.
Nën kushtet e arrestit, ai iu nënshtrua ndërhyrjeve spitalore për plagën në këmbë, por nuk u rikuperua plotësisht.
Zaharia mund shtetin në Strasburg
Në vitin 2015, Gjykata e Krujës urdhëroi kryerjen e një ndërhyrje të dytë kirurgjikale pasi pjesa metalike e vendosur në këmbë po e dëmtonte. Moszbatimi i vendimit shkoi në Gjykatën e Strasburgut, dhe në vitin 2016, kjo gjykatë urdhëroi përkohësisht ekzekutimin e e tij.
As në këtë rast, vendimi nuk gjeti zbatim, pasi mjekësia shqiptare pretendonte se e kishte të pamundur.
Çështja vijoi në Strasburg ku vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, detyroi qeverinë shqiptare ta dëmshpërblente të dënuarin me 15 mijë euro, nga të cilat 13 000 për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 euro, për kostot dhe shpenzimet.
Vendimi për dëmshpërblim
VENDIM PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR. 45022/16)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr. 8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.
4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.
7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



