Ndezi zjarr për djegien e mbeturinave, arrestohet 57-vjeçari në Lushnje
Një zjarr i shkaktuar nga pakujdesia ka sjellë pasoja të rënda në fshatin Lumth të Lushnjës, duke përfunduar me arrestimin e një personi, dëme të konsiderueshme materiale dhe plagosjen e një shtetasi.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë kanë vënë në pranga në flagrancë shtetasin me iniciale I. K., 57 vjeç, banues në këtë zonë. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij për të asgjësuar mbeturinat, por për shkak të përhapjes së shpejtë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit.
Zjarri është përhapur më tej në tokën e një fqinji, shtetasit A. A., duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Si pasojë, janë djegur plotësisht një mjet bujqësor tip zetor, një rimorkio, si dhe sasi e konsiderueshme baze ushqimore e destinuar për blegtorinë.
Gjatë përpjekjeve për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të shpëtuar pronën, pronari i tokës, shtetasi A. A., ka pësuar djegie në trup. Ai është dërguar menjëherë në Spitalin e Lushnjës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e hetimeve lidhur me veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



