Ndryshon ligji, tani qeveria nuk të lejon as të falimentosh
Bizneset që janë në vështirësi financiare dhe duan të pezullojnë aktivitetin e tyre përkohësisht nuk mund ta bëjnë këtë pa shlyer më parë, të gjitha detyrimet tatimore që kanë në shtet.
Qeveria ka vendosur të ndalë mbylljen masive të bizneseve, jo duke përmirësuar situatën e tyre, por përmes shtrëngimit të kushteve për bizneset që kalojnë na status pasiv.
‘Tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore,’ deklaroi përmes një njoftimi zyrtar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Veçanërisht tre vitet e fundit, Shqipëria është përballur me një fluks masiv të mbylljes së bizneseve, të cilat kalojnë në status pasiv. Ekspertët dhe opozita kanë denoncuar se kjo është një pasojë e krizës duke akuzuar qeverinë për politika që kanë rënduar situatën e biznesit.
Përveç shtrëngimit të kushteve për kalimin në status pasive ndryshimet e reja ndalojnë një person fizik që të hapë më shumë se një NIPT në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Sipas ligjit, një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues.
Kjo masë vlen edhe për bizneset që e ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vend. ‘Për çdo vend tjetër të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga vendi kryesor i ushtrimit të aktivitetit, personi fizik, pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm me qëllim identifikimin vendndodhjes të veprimtarisë së re,’ thuhet në njoftim.
Për bizneset të cilat kalojnë në status pasiv, por kryejnë aktivitet do të ketë masa ndëshkuese. Madje këto masa nuk prekin vetëm biznesin pasiv, por edhe bizneset e tjera që hyjnë në transaksion me të.
‘Ligji i ri parashikon penalitete si për shitësin ashtu edhe për blerësin nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin pasiv, ‘ paralajmërojnë Tatimet.
Vitet e fundit Shqipëria është përballur me mbyllje masive të bizneseve. Vitin e kaluar u mbyllën më shumë se 17 mijë biznese, të cilat kanë pezulluar aktivitetin duke kaluar në status pasiv, ndërkohë që për këtë vit vetëm për muajin e parë kaluan në pasiv mbi 2 mijë biznese.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



