‘Në vend se të kërkosh mik, në vend se të japësh lekë, ti e zgjidh vetë problemin tënd duke futur mik qeverinë’
Një porosi që të kujton gafat e kohës së fushatës kur Edi Rama, kryeministri i vendit u jepte porosi policëve që të mblidhnin vota për PS-në.
Kësaj here është ndryshe, sepse ka të bëjë me shqiptarët, të cilëve ai ju kujton të fusin mik qeverinë.
Thotë Rama:
‘Të marrësh 3 minuta në vend se të kërkosh mik, në vend se të japësh lekë apo zgjidhja të vjen në rrugë të vjetra, ti e zgjidh vetë problemin tënd duke futur mik qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ministren e qeverisë për sektorin.’
Me çfarë kuptimi e ka këtë?
Rama ka hapur prej kohësh atë që e quan bashkëqeverisja me qytetarët, një platformë online ku shqiptarët mund të denoncojnë shkeljet, spiunojnë, thashethemnojnë etj për këdo që e mendojnë të arsyeshme.
Dhe është pikërisht Rama, sipas asaj që thotë se në vend të lekut dhe mikut dhënë tjetërkund, shqiptarët mund t’i futen mik qeverisë sepse ajo do ua zgjidhë hallet.
Vazhdon më tej Rama:
‘Sot kemi 2500 raste konkrete që e provojnë këtë që them unë.
Sot kemi 35 punonjës hipotekash që janë në derën e prokurorisë, i ka dërguar ai numër qytetarësh që kanë reaguar, që kanë ngritur krye. Që kanë marrë këto 3 minuta te shqipëriaqeduam.al dhe i kanë denoncuar.’
Të jesh në derën e prokurorisë me vetëm një denoncim nuk është asgjë. Duhen hetime dhe prova që të vërtetojnë pretendimet për të parë sa efektive është kjo metodë që po përdor Rama.

Kohë më parë kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori bëri një deklaratë të fortë lidhur me numrin e lartë të zyrtarëve të shkarkuar, për të cilën gjyqet nuk po mundeshin të zhvilloheshin.
Deklaroi Zaganjori:
‘Pse ka kaq shumë largime nga puna? Dhe të gjithë vinë në dyert e gjykatat. Nuk mund të largosh administratën sa herë ka zgjedhje apo ka ndryshime të drejtuesve!’.
Rama kohë më parë bëri thirrje për dorëheqje të drejtorëve të hipotekave, disa u shkarkuan por së fundmi një prej tyre, ish-kreu i Hipotekës së Korçës Klajdi Terova, fitoi gjyqin duke marrë si shpërblim një vit pas shkarkimit 10 paga. Terova e refuzoi shkarkimin e para një viti dhe e paditi Ministrinë e Drejtësisë për shkarkim të paligjshëm nga puna.
Kryeministri, i vendosur për ta vazhduar këtë mënyrë funksionimi: denoncimin online, muaj më parë nuk hezitoi të nxirrte edhe një listë me mjekët e nderuar të vendit, mes të cilëve spikaste Mentor Petrela, për të cilët kishin denoncuar disa qytetarë që i quanin të korruptuar.
Kundërpërgjigjej Petrela:
‘Populizmi eshte nje menyre cinike per te luajtur me zemerimin e nje mase amorfe qe e perkedhelin me emrin popull qe jo rralle eshte perdorur per te hequr qafe eliten”uzurpatore”.
Shkaku eshte urrejtja e perjetshme dhe zilia ndaj talentit. Per te evituar gomarllekun me te cilin ky populizem ushqehet me mjetet e sotme te komunikimit influencuar dhe nga “Bota eshte e sheshte” e Thomas Friedman i kam refuzuar keto mjete.’
Kjo është historia e denoncimeve të Ramës, ose më saktë historia e fletrrufeve në kohën e demokracisë./Hashtag.al

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



