E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Neni  i shpifjes kusht i Brukselit, jo dhuratë e Ramës për median
Flash

Neni i shpifjes kusht i Brukselit, jo dhuratë e Ramës për median

Naim Noka

Deklarata e kryeministrit Edi Rama në konferencën e fundvitit, se Shqipëria ka nisur negociatat me Bashkimin Evropian për heqjen e veprës penale të shpifjes nga Kodi Penal, u servir si një lloj “dhurate” për gazetarët. Madje, e shoqëruar me ironi: “jeni të lirë të shpifni sa të doni”. Një batutë e vjetër, cinike dhe fyese, që zbulon më shumë mendësinë e pushtetit ndaj medias sesa një angazhim real për lirinë e shprehjes.

E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe shumë më pak heroike për qeverinë: dekriminalizimi i shpifjes është një nga kushtet më të panegociueshme të Brukselit për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nuk është iniciativë politike e mazhorancës, nuk është reformë e lindur nga bindja demokratike e pushtetit, por një detyrim i imponuar nga jashtë.

Prej vitesh, qeveritë shqiptare janë kritikuar ashpër nga Departamenti Amerikan i Shtetit, OSBE dhe institucionet e BE-së për përkeqësimin sistematik të lirisë së medias. Kritikat nuk kanë qenë abstrakte, por të bazuara në fakte: blerje e pronarëve të mediave përmes koncesioneve, tenderëve dhe favoreve fiskale; presion përmes padive gjyqësore; izolim ekonomik dhe administrativ i mediave kritike; dhe krijim i një klime frike për gazetarët investigativë.

Në këtë kontekst, ironia e Ramës ndaj mediave, të cilat i etiketon si “tenxhere që ziejnë gjysmë të vërteta”, nuk është thjesht arrogancë verbale. Ajo lidhet drejtpërdrejt me dosjet e fundit të SPAK-ut për AKSHI dhe ARRSH, të cilat kanë ekspozuar korrupsionin dhe keqmenaxhimin në nivelet më të larta të shtetit. Kur faktet dalin në dritë, pushteti zgjedh të sulmojë lajmëtarin.

Nuk duhet harruar se kjo mazhorancë ka tentuar disa herë të vendosë censurë ligjore mbi median dhe portalet online. Projektligje të ashtuquajtura “rregulluese” janë rrëzuar ose bllokuar vetëm pas presionit të fortë ndërkombëtar dhe paralajmërimeve të qarta për sanksione. Sot, disa prej këtyre nismave ende qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit, si kujtesë se instinkti i kontrollit nuk ka ndryshuar vetëm taktika.

Prandaj, angazhimi për dekriminalizimin e shpifjes nuk duhet lexuar si hap drejt emancipimit demokratik, por si një lëvizje e detyruar nga Bashkimi Evropian. Po, shpifja pritet të hiqet nga Kodi i ri Penal. Por duke qenë se ky kod është kundërshtuar gjerësisht, mazhoranca mund të zgjedhë rrugën më të shkurtër: një amendament në Kodin Penal në fuqi, vetëm për të plotësuar kushtin dhe për të mos bllokuar negociatat.

Sfida reale nuk është heqja e një neni nga Kodi Penal. Sfida është nëse pushteti i Ramës dhe Belindës do të heqë dorë nga praktika e kontrollit, shantazhit ekonomik me paratë ‘e djemve nga xhepi’dhe presionit politik mbi median. Sepse edhe nëse e heq shpifjen nga Kodi Penal, por mban nën kontroll mediat e Tiranës me para korrupsioni, frikës dhe klientelizmit, thjeshtë është sofistikuar censura.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.