Netanyahu nuk njeh paqe dhe kërcënon: Do të shpërthejë ferri!
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë një kërcënim të ashpër ndaj Hamasit, duke u shprehur se grupi militant palestinez duhet të heqë dorë nga armët dhe të çmilitarizohet, përndryshe “do të shpërthejë ferri”. Ky mesazh erdhi në një intervistë për CBS News pas vizitës së Donald Trump në Tel Aviv, ku u nënshkrua faza e parë e planit amerikan për Gaza.
“Hamasi duhet të dorëzojë armët e tij. Nuk duhet të ketë fabrika armësh brenda Gazës. Nuk duhet të ketë kontrabandë armësh në Gaza. Ky është çmilitarizimi,” tha Netanyahu, duke theksuar se ky është kushti kryesor për një paqe të qëndrueshme.
Presidenti amerikan Donald Trump e mbështeti këtë qëndrim, duke paralajmëruar gjithashtu: “Nëse Hamasi nuk çarmatoset, ne do ta çarmatosim atë.”
Faza e parë e planit të paqes: Lirimi i pengjeve dhe ndihmat humanitare
Si pjesë e marrëveshjes së fazës së parë, është parashikuar lirimi i 250 të burgosurve palestinezë dhe 1,700 banorëve të Gazës të cilët ishin ndaluar nga forcat izraelite që nga fillimi i luftës. Po ashtu, një zgjidhje tjetër e rëndësishme është dërgimi i 400 kamionëve me ndihma humanitare çdo ditë, një numër që pritet të rritet në fazat e ardhshme.
Ky përparim është një hap i rëndësishëm, por ai mbetet vetëm një armëpushim dhe jo një marrëveshje përfundimtare paqeje, siç theksojnë ekspertët.
Përveç kësaj, një burim palestinez konfirmoi se Hamasi do të lirojë 20 pengje të gjalla gjatë fazës së parë të marrëveshjes, duke hapur mundësinë për një paqe të mundshme, por ende mbeten shumë hapa për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



