E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga “CFO Pharma” te incidenti në Sky Tower, telashet e reja të Nadir Çausholli
Lajme

Nga “CFO Pharma” te incidenti në Sky Tower, telashet e reja të Nadir Çausholli

Përplasja te “Blloku”, zbardhet kallëzimi i biznesmenit Mirton Lika

Një incident i tensionuar mes dy biznesmenëve ka trazuar mesditën e kësaj të hëne zonën e ish-Bllokut në Tiranë, duke degjeneruar në përplasje fizike dhe ndërhyrje të policisë. Ngjarja u regjistrua pranë godinës së njohur “Sky Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku në qendër të konfliktit u përfshinë pronari i kompanisë farmaceutike “CFO Pharma”, Nadir Çausholli dhe biznesmeni Mirton Lika.

Sipas pamjeve të publikuara në media, Çausholli shfaqet duke tentuar të godasë Likën, ndërsa persona të tjerë të pranishëm ndërhyjnë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Shkaku i konfliktit: instalimi i një karikuesi për automjete elektrike

Në thelb të përplasjes qëndron vendosja e një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në hapësirë publike. Sipas dëshmisë së Mirton Likës, ai ishte drejtuar për në zyrë kur konstatoi praninë e disa personave që po montonin pajisjen në trotuar.

Lika pretendon se u ka kërkuar punonjësve dokumentacionin përkatës dhe lejen e instalimit, duke qenë se për këtë çështje, sipas tij, ekziston një procedim i hapur në Prokurorinë e Tiranës. Ai thekson se një pajisje e ngjashme ishte sekuestruar më herët nga autoritetet si e paligjshme.

Pasi punonjësit nuk paraqitën dokumentacionin e kërkuar, Lika deklaron se ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit. Në vendngjarje mbërriti fillimisht një patrullë policore, e cila kreu verifikimet dhe më pas njoftoi Policinë Bashkiake për shkak të natyrës administrative të çështjes.

Dëshmia: “Më kërcënoi dhe goditi një karrige në drejtimin tim”

Sipas kallëzimit penal të depozituar nga Lika, gjatë pritjes në vendngjarje, Nadir Çausholli iu afrua në mënyrë kërcënuese, e ofendoi dhe më pas goditi me shkelm një karrige në drejtim të tij.

Nga ana tjetër, edhe Çausholli ka paraqitur kallëzim, duke pretenduar se është kërcënuar verbalisht nga Lika gjatë konfliktit.

Me anë të një statusi në FB ai bën një Sqarim situate

Konflikti që kemi pasur është vetëm me Lad Kostën dhe jo me Mirton Likën, i cili është dhëndri i Ladit. Lad Kosta është pronari real i “Sky Tower”.

“Green Taxi” i ka vendet e taksive përballë Ambasadës Zvicerane (prej 8 vitesh), vend ky që ndodhet rreth 15 metra larg “Sky Tower”.

Historia filloi para një viti e gjysmë, kur Lad Kosta shkoi me pistoletë në dorë dhe kërcënoi shoferët e “Green Taxi”. Ne i bëmë kallëzim penal. Normalisht, Lad Kosta duhej të ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe për kërcënim me jetë. Mirëpo, prokurori e mbylli çështjen dhe i dha krah Lad Kostës që të vazhdonte të kërcënonte.

Nga ana tjetër, po me të njëjtat kamera, Lad Kosta nxori sot vetëm pjesën që i interesonte për ta kthyer në “gallatë” për mediat e gjobëvënies, si “Boldnews” — të cilën vetëm pronari i vet, Leonard Bakillari, e sheh. Lad Kosta nuk e nxori videon e një ore më përpara, ku njerëzit e tij godisnin me shkelma pajisjen e karikimit të “Green Taxi”, por nxori vetëm pamjet që i interesonin, sepse vetëm ai i ka kamerat. Plus që mediat mezi presin të më shajnë mua.

Prej një viti, ai na e ka zënë vendin tonë në mënyrë të paligjshme me mjetet e veta, ndërkohë që ai është stacion taksish që ne e kemi që nga viti 2018. Ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë, sepse ai ka shokë ata të policisë dhe askush nuk i bën dot gjë.

Ne kemi të vendosur aty karikuesin tonë të “Green Taxi”, i cili është me leje ndërtimi dhe konform të gjitha procedurave ligjore. Për atë karikues kemi shpenzuar 55,000 euro për blerje dhe lidhje të linjës. Para dy muajsh, Lad Kosta, i mbështetur nga Shefi i Komisariatit Nr. 2, vjedh karikuesin tonë dhe vendos një tjetër të vetin pa leje ndërtimi. Për këtë, ai ndërhyri në lidhjet elektrike të OSHEE-së, për të cilat ne paguajmë faturat çdo muaj. Kur ne shkojmë të shohim për karikuesin tonë, ai thotë: “E kam marrë dhe s’dua t’jua jap më”.

Besoj se është e patolerueshme për këdo që të shohë dritën për diell se si tjetri vjen e të vjedh pajisjen dhe askush nuk i bën dot gjë. I bëmë përsëri kallëzim penal Lad Kostës dhe dhëndrit të tij, Mirton Lika. Policia nuk vepron për t’i hequr karikuesin e paligjshëm të vendosur pa leje ndërtimi, duke lejuar vjedhjen e pajisjes së dikujt tjetër, ndërhyrjen e paligjshme në lidhjet e sahatit elektrik dhe kërcënimin me jetë të stafit të “Green Taxi”: “Po u afruat, do ta shihni çfarë do t’ju bëjmë”.

Para një jave, Lad Kosta e hoqi pajisjen e vet që e kishte vendosur me forcë te vendi ynë, dhe ne u detyruam të vendosnim pajisjen tonë të re, pasi të vjetrën na e mban peng Lad Kosta. Ndërkohë, Lad Kosta dhe dhëndri i tij, Mirton Lika, shkuan sot dhe kërcënuan stafin që po rivendoste pajisjen tonë në vendin e vet. Konkretisht, Mirton Lika e goditi me shkelm pajisjen. Ai nuk e nxjerr këtë pjesë të filmimeve, por në bashkëpunim me mafien mediatike (për të cilën do të them dy fjalë më poshtë), nxjerr vetëm videon ku unë godas karrigen që ishte aty afër — dhe nuk e kam goditur fare Mirton Likën. Shkova vetë aty sepse besoj se çdo mashkull që nuk është pederast do të mbronte stafin e vet nga kërcënimet e atij torollaku, Lad Kostës. “Engjëlli” kishte marrë 20 bodigardë, gjoja për t’u mbrojtur. Asnjëri nga ne nuk u godit, përveç sajesave mediatike.

Pse Krimi Ekonomik nuk sheh asnjëherë nga i vijnë të ardhurat me të cilat paguajnë rrogat e stafit që i mban në të zezë? A e keni parë sa herë që ndodh që autobusi i “Green Line” prek frenat, “Boldnews” më nxjerr mua me foto dhe më etiketojnë si “i Lalit”? Po pres të më etiketojnë edhe si “i Bin Ladenit”. Nuk merrem fare me politikë dhe mos i mashtroni njerëzit që ju ndjekin me lajme të kota. Linjave të tjera urbane (që edhe ato janë të nderuara) u ndodhin shumë më tepër probleme se “Green Line”, sepse ndoshta mund të kenë autobusë më të vjetër se ne, por ato nuk i nxjerrin asnjëherë.

Edhe një pjesë e mirë e mediave janë i njëjti llum. Janë të shitura. Në rast se mediat duan të sqarojnë ndjekësit e vet që të mos mashtrohen sipas interesit të gjobëvënies të këtyre portaleve, mund ta nxjerrin edhe shpjegimin tim, i cili është i sakti. Lad Kosta ka 10 kallëzime nga ne në Prokurori dhe asnjë nga mediat nuk e nxori. Atë kallëzimin pa vlerë që ka bërë në prokurori, e bëri vetëm për t’u mbrojtur nga kallëzimi ynë dhe jo se i ka ndodhur gjë. Kurse ai çerri i Lad Kostës, Mirton Lika, ka mashtruar dhe për këtë ka një kallëzim tjetër për kallëzim të rremë. Ti mashtrues duhet t’i provosh ato që ke thënë, ose do të përgjigjesh para drejtësisë. Sqarojmë që është Lad Kosta ai që na bie në qafë ne dhe jo ne atij, pasi ai vjen e na kërcënon te prona jonë, 15 metra larg “Sky Tower”.

 

Reagimi i policisë: Procedim për “kanosje” dhe “vetëgjyqësi”

Policia e Tiranës konfirmoi zyrtarisht nisjen e procedimit penal ndaj Nadir Çaushollit, 48 vjeç. Sipas autoriteteve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”.

Nga hetimet paraprake rezulton se konflikti ka lindur për vendosjen e pajisjes së karikimit në trotuar, ndërsa Çausholli dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin M. L., 53 vjeç dhe ka goditur një karrige në drejtim të tij.

Autoritetet bëjnë me dije se materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve hetimore.

E kaluara nën hetim: dosja e rimbursimeve në “CFO Pharma”

Ngjarja në ish-Bllok vjen në një moment kur emri i Nadir Çaushollit është i lidhur edhe me një çështje tjetër të rëndësishme hetimore. Pak muaj më parë, Prokuroria e Tiranës vendosi masa sigurimi ndaj disa vartësve të tij në kompaninë “CFO Pharma”, të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi me rimbursimin e barnave.

Fillimisht, dëmi i dyshuar ndaj buxhetit të shtetit u vlerësua në rreth 700 mijë euro, ndërsa më pas Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor raportoi se shifra mund të arrijë mbi 2.3 milionë euro.

Ndërkohë që hetimet për këtë dosje vijojnë, incidenti i fundit në qendër të Tiranës e vendos biznesmenin edhe përballë një procedimi të ri penal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.