E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sherri te Blloku, Nadir Çausholli kanosi bashkëpronarin e “Sky Tower”
Lajme

Sherri te Blloku, Nadir Çausholli kanosi bashkëpronarin e “Sky Tower”

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë nisur procedim penal ndaj biznesmenit Nadir Çausholli, 48 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”, pas një konflikti të ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku Çausholli dyshohet se është përfshirë në një përplasje me biznesmenin Mirton Lika, 53 vjeç, bashkëpronar i “Sky Tower”. Konflikti lidhet me montimin e një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në trotuar.

Gjatë debatit, Çausholli akuzohet se ka kanosur me fjalë Likën dhe në një moment ka goditur me shkelm një karrige në drejtim të tij. Nga ana tjetër, edhe vetë Çausholli ka kallëzuar në polici se është kërcënuar nga Lika.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vijimin e hetimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Si nisi konflikti?

Sipas kallëzimit të depozituar nga Mirton Lika, përplasja ndodhi më 6 korrik 2026 pranë godinës “Sky Tower”, teksa ai po i drejtohej zyrës së tij. Lika pretendon se konstatoi disa persona duke instaluar një pajisje karikimi për automjete elektrike dhe kërkoi informacion mbi dokumentacionin dhe lejen përkatëse.

Ai ka deklaruar se një pajisje e ngjashme, e vendosur më herët në të njëjtën zonë, ishte sekuestruar nga autoritetet si e paligjshme. Sipas tij, punonjësit nuk paraqitën dokumentacion dhe për këtë arsye u njoftua policia.

Fillimisht në vendngjarje mbërriti një patrullë e Policisë së Shtetit, e cila kreu verifikimet paraprake dhe më pas kërkoi ndërhyrjen e Policisë Bashkiake për çështjet administrative që lidhen me ndërprerjen e punimeve.

Lika pretendon se gjatë pritjes për autoritetet, Çausholli iu afrua në mënyrë kërcënuese dhe situata degradoi në konflikt verbal. Sipas tij, biznesmeni goditi me shkelm një karrige në drejtim të tij, ndërsa pati edhe fyerje dhe sharje.

Në kallëzim, Lika ka kërkuar marrjen e masave nga organet ligjzbatuese dhe hetimin e plotë të rastit, duke shprehur shqetësimin për sigurinë personale, familjen dhe aktivitetin e bizneseve që ai përfaqëson.

Mirton Lika është bashkëpronar i “Sky Tower” në Tiranë dhe mban gjithashtu funksionin e Konsullit të Sri Lankës në Shqipëri.

E kaluara hetimore

Emri i Nadir Çaushollit është përmendur edhe në një çështje tjetër hetimore më herët. Prokuroria e Tiranës ka vendosur masa sigurimi për disa punonjës të kompanisë “CFO Pharma”, të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi me rimbursimin e barnave.

Sipas hetimeve paraprake, dëmi financiar ndaj shtetit fillimisht është vlerësuar rreth 700 mijë euro, ndërsa më pas është raportuar se mund të kalojë shifrën 2.3 milionë euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.