Nga Dubai në burg në Tiranë, arrestohet reperi Kleviol Ahmeti
Ditën e nesërme pritet të ekstradohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë reperi Kleviol Ahmeti, i njohur me emrin artistik Cllevio Serbiano. Ai është arrestuar rreth tre muaj më parë në Dubai dhe tashmë do të kthehet në vend për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.
Sipas burimeve pranë artistit, Ahmeti ka pranuar ekstradimin dhe ka firmosur dokumentacionin përkatës. Kthimi i tij në Shqipëri pritet të ndodhë më 8 tetor, dhe operacioni do të realizohet nga Interpol.
Kleviol Ahmeti përballet me disa akuza penale, të cilat ai vetë i konsideron si të motivuara politikisht dhe të nxitura nga kundërshtarët e tij.
Një nga çështjet më të bujshme që rëndon ndaj tij lidhet me vendosjen e eksplozivit në butikun “Illyrian” në Durrës, në vitin 2022. Sipas dosjes hetimore të SPAK, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të ashpër mes Cllevios dhe reperit tjetër të njohur, Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Pas përplasjes fizike që kishte ndodhur mes tyre, Cllevio dyshohet se i ka kërkuar mikut të tij, Laert Haxhiu, të vendoste tritol në butikun e Noizyt në qytetin bregdetar. Lënda plasëse shkatërroi fasadën e jashtme të dyqanit, ndërsa ngjarja mori vëmendje të madhe në media dhe rrjetet sociale, duke ndezur një “luftë virtuale” mes dy artistëve.
SPAK e ka përfshirë këtë ngjarje në dosjen penale të grupit kriminal të Laert Haxhiut, ku Kleviol Ahmeti figuron si i përfshirë në veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, në dëm të Bashkim Rajkut dhe Rigels Rajkut (Noizy). Ngjarja ka ndodhur më 08 qershor 2022, në Durrës.
Dosja i është dërguar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për dënimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë episod kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



