Nga kandidate në ‘taksirat’, Meremja bën me ‘dhimbje koke’ Berishën
Çon në Gjykatë procesin e zgjedhjeve në PD
Mereme Sela, e cila nuk u lejua të garojë përballë Sali Berishës për postin e kreut të Partisë Demokratike, nuk është tërhequr nga beteja e saj. Mjekja nga Durrësi, kandidatura e së cilës në rrjetet sociale u shoqërua më shumë me reagime ironike sesa me zhvillime politike, ka vendosur ta çojë çështjen në rrugë ligjore.
Ajo ka depozituar padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke kundërshtuar vendimin për përjashtimin nga gara si të pajustifikuar, pa argumentim të qartë dhe në mungesë të transparencës procedurale.
Sipas pretendimeve të saj, përjashtimi është bërë “në shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave statutore dhe të parimit të barazisë në konkurrim”. Ajo ngre gjithashtu dyshime për standard të dyfishtë, duke theksuar se Komisioni ka lejuar kandidimin e Sali Berishës në kundërshtim me statutin, konkretisht me të ashtuquajturin “neni Basha”, që parashikon largimin e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve.
Përmes padisë, Sela kërkon që të pezullohet procesi zgjedhor i 23 majit, ku anëtarësia e Partisë Demokratike është thirrur të votojë sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”.
Edhe pse një ditë më parë Sali Berisha e cilësoi Selën si kandidaten e vetme që nuk kontrollohej nga Edi Rama, duke shtuar se ajo nuk plotësonte kriteret, duket se kjo deklaratë nuk ka ndikuar në qëndrimin e saj. Mjekja, e cila në primaret e Durrësit mori 43 vota, ka vendosur të vijojë përballjen në gjykatë.
5 kërkesat e Mereme Selës drejtuar Gjykatës:
- Shpallja e pavlefshme absolute e vendimit për skualifikimin nga gara për Kryetar të PDSH-së;
- Detyrimi i palës së paditur për rikthimin e saj në garë;
- Shpallja e pavlefshme absolute e kandidimit të Sali Berishës;
- Konstatimi i shkeljes së rëndë të statutit dhe parimeve të demokracisë së brendshme;
- Vendosja e masës së sigurimit të padisë: pezullimi i menjëhershëm i procesit zgjedhor të datës 23.05.2026 deri në përfundim të gjykimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco






