PD në Epokën e “Meremizmit”
Nëse dikush do të kërkonte një monument për degradimin e pluralizmit në Shqipëri, nuk ka nevojë të gërmojë në arkiva; mjafton të shohë skenën tragjikomike të garës për kryetar në Partinë Demokratike. Aty ku dikur gjëmonin debatet e ideve të Gramoz Pashkos, precizioni i Genc Rulit apo oratoritë e Sokol Olldashit, sot pllakos heshtja e turpshme që thyhet vetëm nga e qeshura naive e “meme-s” Mereme Sela.
Të katandisesh në garë me Meremen nuk është vetëm një fyerje për inteligjencën e opozitarëve, që ende thurin ëndrra në diellin e majit të vitit 2026.
Kjo garë më mirë u bë pa Mereme Selën se fundja është një proces me dinjitoz; ndryshe do t’i merrte erëzin dhe do ishte një ekzekutim estetik i dinjitetit politik. “Ujku” i vjetër i politikës, ka konsumuar çdo pushtet dhe çdo krizë të tranzicionit, do të ishte shpartalluese dhe qesharake me një kandidate që premton të mos mbajë “hudhër” për syrin e keq dhe ka një program për të vdekurit.
Kjo do ishte tallja më e madhe që i bëhet opozitarizmit.
Më mirë pa garë se një ritual vetëflijimi me Meremen e cila do ishte “shiringa e adrenalinës” për një kufomë politike që kërkon të bindë botën se është ende gjallë.
Gjendja ku është katandisur PD-ja sot ngjan me një spital ku pacientët kanë marrë në dorë administrimin e godinës. Doktor Berisha, i izoluar në kullën e tij të mërisë, kërkon të thyejë rekordin e shokut Enver për jetëgjatësi në fron, duke katandisur të garojë “doktoreshën” e memeve.
Meremja, me sinqeritetin e saj të frikshëm, është pasqyra më besnike e asaj që ka mbetur nga PD: një strukturë e zbrazur nga elita, e trembur nga “syri i keq” dhe e bindur se pushteti i takon “sepse ashtu i duket”.
Por fatkeqësia qëndron te fituesi i vërtetë i duelit epik nëse nuk do ta skualifikonin të ngratën, mes doktorit të “Rithemelimit”, Berisha, dhe doktoreshë Meremes, është mbreti de facto i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa në PD luhet komedia “Meremja Kryeministre”, në Kryeministri hapet vera e Ergys Agasit, 33 mijë euroshe.
Edi Rama tani duket se nuk ka nevojë as për makineri elektorale shtetërore, kur opozita e tij kandidon “gjakun e ri” të “Meremeve”, që merren me misteret e besimit dhe frikën nga magjitë.
Mesazhi që kjo garë i jep popullit opozitar është i qartë dhe dëshpërues: “Nëse kjo është alternativa, atëherë status-quo-ja është shpëtim.”
Një parti që po “qan” veten
PD-ja e vitit 2026 është një parti që ka eliminuar trurin dhe ka mbajtur vetëm instinktin e mbijetesës së kryetarit. Fushatat me Meremen nuk do na dhuronin thjesht një spektakël të shëmtuar, ku viktima e vërtetë është shpresa e shqiptarëve për ndryshim.
Nëse dikur PD-ja ishte lokomotiva e proceseve demokratike, sot është thjesht një vagon i mbetur në shinat e historisë, ku pasagjerët e fundit po debatojnë nëse duhet mbajtur hudhër në xhep apo jo.
Mjerë ajo parti që katandiset në nivelin e Meremes, dhe mjerë ai kryetar që ka nevojë për një Mereme që të ndihet i plotfuqishëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



