Nga Messi e Mbappe te Kane, Shakira bën bashkë yjet e futbollit
Superylli kolumbian Shakira dhe artisti nigerian Burna Boy kanë prezantuar videoklipin e shumëpritur të këngës “Dai Dai”, e përzgjedhur si himni zyrtar i FIFA World Cup 2026. Projekti vjen si një ndërthurje spektakolare e muzikës, kulturës dhe futbollit, duke sjellë në ekran disa nga emrat më të mëdhenj të sportit global.
Videoklipi, i publikuar më 23 maj, shfaq një energji të jashtëzakonshme vizuale dhe ritmike. Në të bëjnë paraqitje ikonat e futbollit si Lionel Messi, Kylian Mbappé, Erling Haaland, Vinícius Júnior, Harry Kane dhe shumë yje të tjerë, duke e kthyer klipin në një festë të vërtetë të futbollit botëror.

Një element i veçantë i këtij produksioni është përfshirja e Ghetto Kids Uganda, një iniciativë që mbështet fëmijët në nevojë përmes artit dhe edukimit. Prania e tyre i jep projektit një dimension social dhe emocional, përtej spektaklit muzikor.
Një nga momentet më të komentuara të videos është skena ku Shakira performon mbi Angel of Independence në Mexico City, një homazh për një vend që ka luajtur rol të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik.

Ky projekt shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në marrëdhënien e Shakirës me Botërorin. Pas suksesit global të Waka Waka (This Time for Africa), ajo rikthehet sërish në qendër të vëmendjes me një himn që synon të përsërisë të njëjtin impakt global.
Përtej publikimit të videos, është konfirmuar se Shakira do të jetë protagoniste në spektaklin historik të pushimit të finales së Botërorit më 19 korrik 2026, në MetLife Stadium. Ajo do të ndajë skenën me emra të mëdhenj si Madonna dhe BTS, duke premtuar një performancë të paprecedentë për historinë e këtij turneu.
“Dai Dai” u prezantua fillimisht më 14 maj, ndërsa publikimi i videoklipit konfirmon ambicien e FIFA-s për ta kthyer edicionin e vitit 2026 në një eksperiencë të re, ku sporti dhe industria e argëtimit bashkohen në një skenë globale.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



