E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga sa vite u dënuan ish-krerët e UÇK-së për secilën akuzë?
Lajme

Nga sa vite u dënuan ish-krerët e UÇK-së për secilën akuzë?

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për katër pika të aktakuzës që lidhen me krime lufte.

Bëhet fjalë për akuzat për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në përfundim të procesit, trupi gjykues nuk gjeti se Prokuroria e Specializuar kishte arritur të provonte akuzat për krime kundër njerëzimit në nivelin e kërkuar për shpalljen e fajësisë. Për rrjedhojë, këto akuza nuk çuan në dënim.

Sipas aktgjykimit të shpallur, Hashim Thaçi është dënuar me 25 vite burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vite. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vite burgim, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim.

Në total, dënimet e dhëna ndaj katër të akuzuarve arrijnë në 81 vite burgim.

Procesi gjyqësor u zhvillua mbi bazën e një aktakuze që përmbante dhjetë pika. Gjashtë prej tyre lidhen me krime kundër njerëzimit, konkretisht përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.

Katër pikat e tjera të aktakuzës kishin të bënin me krime lufte dhe janë pikërisht këto pika për të cilat katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë.

Gjatë leximit të aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, nënvizoi se çështja gjyqësore kishte të bënte me përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar dhe jo me luftën e zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës si e tillë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.