Nga siguria te paranoja, Policia e Shtetit në krizë strategjie
Angazhimi i rreth 1300 efektivëve të policisë në protestën e fundit të opozitës ishte më shumë sesa një masë sigurie. Ishte një shfaqje e qartë e pasigurisë dhe mungesës së strategjisë në krye të Policisë së Shtetit, që ekspozon dobësinë e drejtimit aktual nën Ilir Prodën.
Skenari i protestës ishte i lexueshëm që në fillim. Disa fjalime nga eksponentë të opozitës, në mbyllje Sali Berisha dhe, si zakonisht, në momentin simbolik të valëvitjes së flamurit, një grup personash me kapuçë dhe fytyra të mbuluara do të tentonin të hidhnin molotov drejt godinës së Kryeministrisë. Asgjë e re. Asnjë rrezik real për hyrje brenda institucionit.
Ky standard është vendosur prej vitesh, veçanërisht pas 21 janarit 2011, kur katër qytetarë humbën jetën. Që prej asaj dite, çdo protestë politike ka pasur kufij të pashkruar, por të qartë.
Protesta e djeshme pati një pjesëmarrje më të madhe se foltoret e muajve të fundit, por në thelb nuk solli asnjë risi politike. Ajo që solli, ishte nxjerrja në pah e paaftësisë së drejtimit policor për të menaxhuar situata të tilla në mënyrë proporcionale dhe profesionale.
Përdorimi masiv i gazit lotsjellës ndaj protestuesve ishte jo vetëm i tepruar, por edhe jashtë çdo raporti me veprimet në terren — veprime që, sado të dënueshme të jenë, nuk justifikojnë një reagim të tillë. Akoma më alarmante është fakti se gazi i përdorur rezulton jashtë afatit të skadencës, një element që ngre pikëpyetje serioze për përgjegjësinë institucionale dhe rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Situata bëhet edhe më e rëndë me shoqërimin e një të mituri, pa njoftuar prindërit dhe pa praninë e një psikologu, një shkelje flagrante e çdo standardi ligjor dhe njerëzor.
Në mënyrë të heshtur, brenda vetë strukturave policore, pranohet pakënaqësia ndaj drejtimit aktual. Flitet për një kupolë të mbyllur në paranojë, të ushqyer nga frika e videove dhe skenarëve të brendshëm, ku çdo kritikë perceptohet si kërcënim.
Rritja e vazhdueshme e numrit të forcave policore në çdo protestë nuk është tregues force, por shenjë frike dhe mungesë profesionalizmi. Në realitet, rendi dhe siguria mund të garantoheshin me jo më shumë se 500 efektivë të trajnuar mirë, të mbështetur nga një plan i qartë veprimi.
Para se të kërkojë armiq imagjinarë dhe të jetojë nën hijen e paranojës, drejtimi i Policisë së Shtetit duhet të ndërtojë strategji reale, të bazuara në standarde, proporcionalitet dhe respekt për të drejtat e qytetarëve.
Sepse zgjidhja nuk është gazi lotsjellës. Ky është një standard i vjetër, i trashëguar që nga koha e Sandër Lleshajt — i njohur tashmë në opinion si “Llesh Kimiku” — dhe jo një model që i shërben rendit, sigurisë apo besimit publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



