Nga SPAK te qeveria e opozita, Amerikanët zbarkojnë në Tiranë
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, Mark Fleming, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe me përfaqësues të politikës shqiptare.
Gjatë qëndrimit të tij, Fleming vizitoi Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku u prit nga kreu i institucionit, Altin Dumani. Në qendër të bisedimeve ishin forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe mbështetja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë t’i japin reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.
Zyrtari amerikan zhvilloi gjithashtu takime me ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, ku u diskutua për bashkëpunimin në fushën e rendit dhe zbatimit të ligjit, me theks tek forcimi i kapaciteteve institucionale dhe përmirësimi i mekanizmave të llogaridhënies.
Gjatë vizitës në Tiranë, Fleming u takua edhe me përfaqësues të opozitës, ndër të cilët Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku. Bisedimet u fokusuan në zhvillimet e fundit politike dhe rëndësinë e ruajtjes së integritetit institucional në proceset hetimore dhe gjyqësore.
Vizita e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit nënvizon angazhimin e vazhdueshëm të Uashingtonit në mbështetje të institucioneve të reja të drejtësisë dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



