Nga Spanja drejt Tiranës, ekstradohet djali i Erzen Breçanit
Eralbi Breçani i akuzuar nga SPAK për trafik droge dhe grup kriminal
Autoritetet shqiptare kanë finalizuar ekstradimin nga Spanja të Eralbi Breçanit, i cili prej kohësh ishte në kërkim ndërkombëtar. Lajmi konfirmohet përmes burimeve zyrtare, ndërsa ai tashmë ndodhet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.
Breçani, djali i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas hetimeve të thelluara të Prokurorisë së Posaçme. Zhvillimi i hetimeve erdhi si rezultat i analizës së komunikimeve të siguruara nga aplikacione të koduara, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e aktiviteteve të dyshuara kriminale.
Sipas dosjes hetimore, Eralbi Breçani përballet me akuza të rënda që lidhen me trafikimin e narkotikëve në bashkëpunim, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe me pastrimin e produkteve të veprës penale. Hetuesit dyshojnë se ai ka pasur një rol aktiv në rrjetet ndërkombëtare të trafikut të kokainës, duke përfshirë linja që nisin nga Amerika Latine dhe përfundojnë në portet kryesore të Evropës.
Ekstradimi i tij konsiderohet një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa pritet që procedurat ligjore ndaj tij të vijojnë në institucionet përkatëse në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



