Vrasja në Ksamil, ‘Principotes’ rezulton në pronësi të një 71-vjeçareje
Shpallet në kërkim Bekim Bulica
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Ksamilin, ku një 20-vjeçar portugez u vra me thikë brenda ambienteve të lokalit “Principotes”, pas një konflikti që dyshohet se nisi për motive personale dhe lidhet me një vajzë.
Viktima është identifikuar si Luis Miguel Varela Mendes, i cili kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh për të kaluar pushimet dhe për të festuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15 të mëngjesit. Sipas të dhënave paraprake, konflikti nisi brenda ambienteve të “Principotes”, ndërsa gjatë përplasjes 20-vjeçari u godit disa herë me mjet prerës, duke humbur jetën.
“Principotes”, kompleksi i themeluar në vitin 2022
Lokali ku ndodhi vrasja është “Principotes”, i njohur më herët me emrin “Tortuga Bay”. Kompleksi është themeluar në vitin 2022.
Sipas të dhënave mediatike, prona është në emër të Kade Bulicës, 71 vjeçare, nga Kukësi, ndërsa administrimi i kompleksit ishte në duart e Bekim Bulicës, 36 vjeç.
Pas ngjarjes së rëndë, Bekim Bulica është larguar nga vendi i ngjarjes dhe dyshohet se është nisur drejt Tiranës për t’iu shmangur hetimeve. Për të, policia ka nisur procedurat dhe e ka shpallur në kërkim.
Autori u arrestua pas pesë orësh në Fier
Ndërkohë, personi i dyshuar si autor i vrasjes, Sokrat Vata, është arrestuar pas rreth pesë orësh arrati.
29-vjeçari u lokalizua në Fier, ku dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Makina drejtohej nga një vajzë, ndërsa në të ndodhej edhe një person tjetër. Të dy këta persona janë shtetas turq.
Arrestimi i Sokrat Vatës erdhi pas një operacioni të policisë për lokalizimin e tij, pasi ai ishte larguar nga Ksamilit pas ngjarjes.
Ndalet edhe një punonjës i Policisë së Kufirit
Në kuadër të hetimeve për vrasjen e 20-vjeçarit portugez është ndaluar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër.
Matushaj ushtronte detyrën e ndihmës specialistit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit, ai mund të ketë ndihmuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, të dyshuarin si autor të vrasjes së Luis Miguel Varela Mendes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e konfliktit, rolin e personave të përfshirë dhe rrethanat që çuan në vrasjen e turistit portugez në orët e para të mëngjesit në Ksamil.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



