Nis numërimi mbrapsht, zbulohet kur starton Big Brother VIP Kosova 5
Përgatitjet për sezonin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” duket se kanë hyrë në fazën e fundit, ndërsa gjithnjë e më shumë detaje po dalin në lidhje me nisjen e spektaklit dhe ndryshimet që pritet të shoqërojnë këtë edicion.
Sipas burimeve të “Indeksonline”, BBVK 5 pritet të nisë gjatë javës së parë të tetorit, duke ardhur më herët në ekran krahasuar me periudhën e nisjes së edicioneve të mëparshme.
Ndërkohë, një nga fazat më të rëndësishme të përgatitjeve, përzgjedhja e banorëve, raportohet se tashmë ka përfunduar. Personazhet që do të hyjnë në shtëpinë e famshme janë përcaktuar, por identitetet e tyre mbeten ende të mbuluara me mister, pasi produksioni nuk i ka bërë publike zyrtarisht.
Ndryshimi më i dukshëm këtë sezon pritet të jetë në moderim.
Alaudin Hamiti pritet të jetë moderatori i vetëm i “Big Brother VIP Kosova 5”, pas largimit të Jonida Vokshit, e cila ishte pjesë e drejtimit të spektaklit gjatë katër sezoneve të para.
Për Hamitin, ky do të jetë viti i pestë radhazi në krye të BBVK, ndërsa kësaj here do ta përballojë i vetëm drejtimin e spektaklit.
Nga ana tjetër, Jonida Vokshi ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e sezonit të ri. Pas katër edicionesh në ekranin e “Big Brother VIP Kosova”, ajo ka zgjedhur të marrë një pauzë nga televizioni dhe të fokusohet më shumë te filmi dhe teatri.
Kështu, sezoni i pestë pritet të sjellë jo vetëm një kast të ri banorësh, por edhe një formulë të ndryshuar në drejtimin e spektaklit, ndërsa fansat tashmë presin zyrtarizimin e datës së nisjes dhe emrat e personazheve që do të hyjnë në shtëpi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



