Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te protesta e paralajmëruar për të hënën dhe mobilizimi i strukturave të opozitës.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Balliu deklaroi se strukturat e PD-së janë gati për betejën që, sipas tij, ia kërkon koha, ndërsa theksoi se pakënaqësia qytetare është në rritje.
Ai theksoi se sot të rinjtë shqiptarë nuk arrijnë dot të blejnë një banesë, ndërkohë që, sipas tij, zv/kryeministrja Belinda Balluku disponon rreth 300 apartamente, duke e cilësuar këtë kontrast si simbol të pabarazisë dhe abuzimit me pushtetin.
Balliu akuzoi qeverinë për kapje të shtetit dhe përdorim të institucioneve për ushtrimin e presionit ndaj biznesit, duke përmendur rastin e një biznesmeni që, sipas tij, është marrë peng nga policia dhe dërguar tek “shefi”, Ergys Agasi, për t’u shantazhuar.
Duke iu referuar hetimeve ndaj Agasit, deputeti demokrat tha se në banesën e tij janë gjetur shishe vere me vlerë rreth 3 milionë euro, një fakt që, sipas Balliut, ka kaluar pothuajse në heshtje në opinionin publik.
“Ka pafund emisione me biznesmenë, por nuk kemi dëgjuar kurrë për 3 milionë euro shishe vere. Kjo tregon standard të dyfishtë dhe frikë për të folur”, u shpreh ai.
Në lidhje me protestat, Balliu tha se qytetarët janë të gatshëm për një reagim masiv, ndërsa paralajmëroi se protesta në Bulevard do të jetë më e madhe se ajo e zhvilluar në Astir.
Sipas tij, zona e Astirit është lënë prej vitesh në harresë, duke u kthyer në një “geto urbane”, ndërsa premtimi për ndërtimin e një shkolle ka mbetur i pambajtur për më shumë se 12 vite.
“Çdo herë që vjen fushata, çohen disa makineri dhe më pas largohen. Kjo është tallje me qytetarët”, tha Balliu, duke shtuar se shqiptarët do të japin përgjigjen e tyre në protestën e së hënës.







