E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Njerëzit e drogës, prostitucionit, korrupsionit dhe mashtrimit që marrin tendera publikë
Lajme

Njerëzit e drogës, prostitucionit, korrupsionit dhe mashtrimit që marrin tendera publikë

Adriatik Doçi

Një rreth njerëzish të dënuar për trafik droge, korrupsion apo të arrestuar për skema mashtrimi, marrin prej vitesh në mënyrë të dyshimtë tendera publikë me anë të kompanive në emrin e tyre ose të familjarëve.

Për shumicën e tyre, në vend që të zbatohej ligji anti-mafia për sekustrimin e pasurive, lejohen të bashkojnë paratë e krimit me paratë publike, duke korruptuar funksionarët publikë, deformuar konkurrencën e lirë etj.

1. Gentian Sharra, 49 vjeç nga Elbasani, akuzohet nga SPAK për disa grabitje me armë si pjesë e bandës së Talo Çelës. Sharra është dënuar për trafik droge, i lakuar për gabitjen e Rinasit dhe i hetuar për plagosje, krim zgjedhor etj., pra rezulton me një CV të pasur kriminale. Sharra ka marrë 34 tendera me vlerë 14 milionë USD nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruar, Bashkia Elbasan, Bashkia Librazh dhe Spitali Psikiatrik Elbasan, përmes gruas së tij Olta Sharra, e cila punon në Bibliotekën e Elbasanit. Tenderat e fundit i ka marrë pak ditë para se ta nxirrte në skenë Nuredin Dumani me dëshmitë e tij, gjithnjë me flamur të kuq, me garë formale dhe pa garë fare, gjithnjë me ofertë fituese gati sa fondi limit.

2. Lefter Lamaj njihet një nga bosët e prostitucionit dhe drogës në Piacenza të Italisë. Lamaj është dënuar në Itali me 11 vite burg, të cilin e ka shlyer në Shqipëri për 5 vite. Lamaj ka themeluar kompaninë e lavanderisë Devis Sh.p.k, të cilën në vitin 2008 ia shet nënës së fëmijëve të tij, Kristinka Leka. Nga viti 2016, kompania Devis ka pothuajse monopolin e tenderave publikë të lavanderisë së spitaleve në Shqipëri. Ka marrë 21 tendera me vlerë mbi 17 milionë USD në shëndetësi.

3. Pashk Rrapi, i njohur si Anton Gjinaj, është aktualisht në burg në Mal të Zi, pasi është dënuar për trafik droge në Spanjë dhe Itali. Rrapi është pronarë i kompanisë Alesio 2014, e cila ka marrë 16 tendera publikë me vlerë rreth 20 milionë USD. Një tender e ka marrë nga Bashkia e Lezhës në një kohë kur Gjinaj ishte në burg, në shkelje flagrante të ligjit, duke paraqitur dëshmi penaliteti dhe letra false. Bashkia e ‘ka shpallur fitues’ edhe pse ishte në dijeni nga informacione të hapura se pronari i kompanisë ishte në burg për trafik droge.

4. Njazi Prençi është dënuar për korrupsion me tenderat publikë në vitin 2018. Prençi ka tre kompani, REGLI shpk në emrin e tij,
Eglenti shpk në emrin e së bijës Eglantina Prençi dhe M.C. CATERING në emër të të birit Gentjan Prençi. Njazi Prençi me të tre kompaninë ka marrë vitet e fundit mbi 100 tendera të dyshimtë dhe kryesisht me flamuj të kuq korrupsioni. Vetëm nga një institucion publik, tre kompanitë e Njaziut janë bashkuar duke marrë 9 tendera, në shkelje të ligjit.

5. Ylber Kalaja është dënuar pasi ka korruptuar zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Burgjeve në këmbim të fitimit të tenderave të ushqimeve me anë të kompanisë Vllaznia. Pas dënimit ndryshoi emrin firmës së tij nga “Vllaznia” në “Dajti Park 2007”, ndërsa i dhuroi 50% të aksioneve djalit të tij Desart Kalaja dhe pjesën tjetër Lulzim Qefalisë. Dajti Park 2007 ka marrë deri ditë e fundit 60 tendera publikë me vlerë mbi 30 milionë euro.

6. Skender Bokçiu është dënuar dy herë për korrupsion me tenderat publikë dhe si pjesë e një skeme të organizuar për vjedhjen e buxhetit të shtetit me rimbursimin e TVSH, me anë kompanisë Arifaj. Më pas kompaninë e kaloi në emrin e gruas Rezarta Bokçiu. Kompania Arifaj është shpallur fituese disa ditë më parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin, për ndërtimin e rrugës së Lurës!

7. Nexhmi Balla, biznesmen dhe pronar i kompanisë së bulmetit ‘Nelsa’, në korrik të vitit 2018 është dënuar Gjykata e Krimeve të Rënda me 3 vite burg për korrupsion me ish-drejtorin dhe ish-nëndrejtorin e burgjeve Artur Zoton dhe Iljaz Labin. Katër muaj pasi u dënua, Nexhmi Balla ia kalon kompaninë në letra të besuarës së tij, Lizeta Ballës. Më pas, vetë Lizeza Balla, për të humbur edhe më tej gjurmët, ia kalon kompaninë në letra Elsa Kamberit.
Kompania ‘Nelsa’ ka marrë deri më sot mbi 100 tendera me vlerë miliona euro.

8. Elidjan Laskaj, pronar i kompanisë “Dogël’, është arrestuar në 2016 dhe është dënuar nga Krimet e Rënda me 2.5 vite burg për korrupsion me tenderat publikë. Dogël ka marrë tendera publikë pas dënimit të Lasjajt.

9. Rrok Gega, pronar i kompanisë “Rroku Guest”, është dënuar për skemat e mashtrimit me faturat e TVSH. Pas dënimit e kaloi kompaninë në emër të gruas Vera Gega. “Rroku Guest” ka marrë deri më sot mbi 60 tendera publikë, kryesisht nga Bashkia Shkodër.

10. Agim Kajmaku ka themeluar kompaninë ‘AME 2020’, të cilën e kakaluar në emrin e bashkëshortes. Kajmaku, për shkak se kishte fshehur një dënim në Greqi, u shkarkuar si kryebashkiak i Vorës dhe shpall në kërkim, duke u doozëzuar më pas sikur ishte sëmurë nga zemra. Kur Kajmaku ishte në kërkim, kompania e tij merrte tendera publikë.

11. Fiqiri Pali, pronar i kompanisë “Sireta 2F”, është dënuar për korrupsion me tendera. Pas pas arrestimit e kaloi kompaninë në emër të gruas Fatime Pali. “Sireta 2F” vijon të marrë miliona euro nga paratë publike.

12. Nikolin Jaka ka themeluar kompaninë AgroAl & Global Services (AGS), e cila ka si objekt të veprimtarisë shërbim ushqimi, drejtim të restoranteve, bareve, hoteleve etj. Sot pronare e kësaj kompanie është bashkëshortja e tij, Alma Tafani. Nikolin Jaka është arrestuar në shtator 2007 si zv-ministër i Transporteve, për korrupsion me tendera. Jaka u dënua një vit më pas, por është shpallur i pafajshëm nga Apeli. Megjithatë, në dosjen e prokurorisë është faktuar se Jaka ka marrë vetëm në një rast rreth 500 mijë USD në këmbim të një tenderi. Nga ana tjetër, kompanai e gruas së tij AGS është ndër më lakuarat për tendera të dyshuar si klientelistë, me vlerë miliona euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.