Nuk e lejuan të hyjë në Shqipëri, reagon ashpër deputeti shqiptar
Adnan Azizi: Shqipëria nuk është pronë e askujt, s’na kanë trembur tiranët e jo më këta të Open Balkan
Deputeti i koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut, Adnan Azizi, ka reaguar publikisht pas raportimeve se i është penguar hyrja në territorin shqiptar gjatë ditës së sotme.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Azizi ka falënderuar të gjithë ata që i kanë shprehur mbështetje, duke theksuar se gjatë gjithë angazhimit të tij politik nuk është tërhequr përballë asnjë forme presioni.
“Në gjithë këto vite veprim politik, nuk na ka trembur dhe as nuk na ka zmbrapsur asnjë pushtet apo figurë autoritare. Aq më pak ata që promovojnë Open Balkan”, shprehet ai.
Në mesazhin e tij, deputeti nënvizon se Shqipëria nuk mund të konsiderohet pronë e askujt dhe se ajo i përket të gjithë shqiptarëve, pavarësisht zhvillimeve politike apo se kush mban pushtetin në Tiranë.
“Shqipëria nuk është pronë e askujt. Ajo është e çdo shqiptari, pa dallim. Pushtetet janë të përkohshme, ndërsa Shqipëria është e përhershme dhe mbetet gjithmonë e shqiptarëve”, thekson Azizi.
Reagimi i tij vjen në një moment debatesh mbi një incident të raportuar në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të cilin autoritetet shqiptare kanë dhënë një version ndryshe nga ai i pretenduar nga pala tjetër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




