Nuk është vetëm Altini, por të gjithë “Altinët” që montojnë prova
dhe fabrikojnë dosje, duhet të dalin përpara drejtësisë
Av Arben Llangozi
Kam lexuar në media se drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, është kallëzuar ose po verifikohet në Itali lidhur me pretendime për shpifje dhe përmbajtje të pavërteta në dokumente të dërguara autoriteteve italiane.
Nuk e di sa të vërteta janë këto pretendime dhe as cilat janë konkretisht dokumentet që kundërshtohen. Këtë duhet ta sqarojë një hetim i pavarur, serioz dhe i paanshëm.
Por di një të vërtetë shumë më të madhe dhe shumë më shqetësuese, në Shqipëri nuk janë të paktë prokurorët që shtrembërojnë faktet, fshehin provat që favorizojnë të pandehurin, rëndojnë artificialisht akuzat, shkëpusin pjesë të dosjes nga konteksti dhe ndërtojnë versione të rreme vetëm për të justifikuar një arrestim, një masë sigurimi ose dërgimin e një çështjeje në gjykim.
Një prokuror që monton prova dhe dosje është shumë më i rrezikshëm se një kriminel i zakonshëm, sepse krimin e kryen duke përdorur firmën, vulën, pushtetin e shtetit dhe autoritetin e drejtësisë. Ai nuk godet vetëm një individ. Ai shkatërron familje, prona, reputacione dhe jetë njerëzish, ndërsa paraqitet publikisht si mbrojtës i ligjit.
Kur një prokuror krijon një provë që nuk ekziston, deformon një deklarim, fsheh një akt shfajësues, paraqet si fakt atë që është vetëm hamendësim ose ndërton një dosje mbi gënjeshtra, ai nuk është më përfaqësues i drejtësisë. Ai është autor i një padrejtësie të organizuar nga vetë shteti.
Prokurori nuk ka detyrë të prodhojë fajtorë. Nuk ka detyrë të fitojë dosje me çdo kusht. Nuk ka detyrë të çojë njerëz në burg për statistika, karrierë, presion mediatik apo interesa të tjera. Detyra e tij është të kërkojë të vërtetën, të administrojë edhe provat që rëndojnë, edhe ato që shfajësojnë, dhe të zbatojë ligjin me paanësi.
Një prokuror që monton prova nuk duhet të mbrohet nga institucioni, nga politika, nga media apo nga propaganda e luftës kundër krimit. Ai duhet të hetohet, të pezullohet dhe, nëse fajësia provohet, të përgjigjet penalisht dhe disiplinarisht njësoj si çdo qytetar tjetër.
Jam pro luftës pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por jam po aq kundër krimit të montimit të provave, fabrikimit të akuzave dhe ndërtimit të dosjeve të rreme nga prokurorë që e përdorin detyrën si armë kundër qytetarëve.
Nuk mund të luftohet krimi duke kryer krime procedurale dhe penale. Nuk mund të mbrohet shteti ligjor duke fabrikuar të vërtetën. Nuk mund të quhet drejtësi një sistem ku prokurori shpif, monton dhe fsheh prova, ndërsa qytetari detyrohet të provojë pafajësinë e tij.
Kur një prokuror monton një dosje, nuk kemi më gabim profesional. Kemi abuzim me pushtetin, kemi dhunë shtetërore dhe kemi shkatërrim të drejtësisë nga brenda.Dhe kur prokurorët që fabrikojnë prova mbrohen vetëm sepse mbajnë një detyrë të lartë, atëherë ka marrë fund barazia para ligjit. Aty fillon arbitrariteti dhe mbaron demokracia.
Ky qëndrim nuk është personalisht kundër Altin Dumanit dhe as kundër një emri të vetëm. Është kundër të gjithë “Altinëve” të sistemit, kundër çdo prokurori që e përdor pushtetin e akuzës për të shtrembëruar faktet, fshehur prova, fabrikuar dosje dhe rënduar padrejtësisht qytetarët.
Problemi nuk është emri i një prokurori, por modeli i prokurorit që sillet sikur është mbi ligjin. Kushdo që monton prova nuk mund të mbrohet nga posti, institucioni, fama apo propaganda. Ai duhet të përgjigjet para drejtësisë njësoj si çdo qytetar tjetër, sepse kur prokurori prodhon të pavërtetën, ai nuk mbron shtetin: ai e kriminalizon atë nga brenda.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



