E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nuk kanë fund telashet për pronarin e “ONE ALBANIA-s”
Lajme

Nuk kanë fund telashet për pronarin e “ONE ALBANIA-s”

Jászai në vorbullën e skandalit të satelitëve

Një hetim i Direkt36 hedh dritë mbi përplasjet brenda qeverisë hungareze për projektin strategjik të satelitëve dhe vendimin e Viktor Orbán për t’ia besuar atë 4iG-së, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë kombëtare dhe strukturën e pronësisë. Grupi hungarez është i pranishëm edhe në Shqipëri përmes ONE Albania.

4iG, grupi hungarez që kontrollon ONE Albania, është vendosur në qendër të një hetimi të ri në Hungari lidhur me një prej projekteve më të ndjeshme strategjike të vendit: zhvillimin e një sistemi satelitor me përdorime civile, të komunikimit dhe të mbrojtjes.

Sipas një investigimi të publikuar më 24 shtator nga media investigative hungareze Direkt36, brenda qeverisë së Viktor Orbán pati kundërshtime për vendimin që projektin t’ia besohej 4iG-së, një kompani private e lidhur ngushtë me qeverinë e Fidesz.

Projekti ishte konceptuar fillimisht nga struktura shtetërore hungareze. Në vjeshtën e vitit 2023, Orsolya Ferencz, komisionere për kërkimet hapësinore, ia prezantoi planin kryeministrit Viktor Orbán gjatë një takimi ku merrnin pjesë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë, mbrojtjes dhe ushtrisë.

Sipas burimeve të cituara nga Direkt36, gjatë takimit u diskutua rëndësia strategjike e një sistemi satelitor që mund të përdorej për monitorimin e krizave të sigurisë, përfshirë zhvillime të ngjashme me krizën e emigracionit të vitit 2015 apo situatën e luftës Rusi-Ukrainë.

Orbán ia kaloi projektin 4iG-së

Sipas investigimit, pas prezantimit të projektit ndodhi një kthesë. Orbán vendosi që ndërtimi i sistemit satelitor të mos realizohej drejtpërdrejt nga shteti, por t’i besohej 4iG-së.

Modeli parashikonte që kompania të merrte përsipër një pjesë të kostove të zhvillimit, ndërsa shteti hungarez do të angazhohej më pas për blerjen e shërbimeve satelitore.

Pikërisht ky vendim shkaktoi kundërshtime brenda strukturave qeveritare.

Sipas burimeve të Direkt36, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes ngritën shqetësime se 4iG nuk kishte certifikimin e nevojshëm të sigurisë kombëtare për një infrastrukturë të kësaj rëndësie.

Një tjetër pikë shqetësimi lidhej me strukturën e pronësisë së kompanisë dhe përdorimin e fondeve private të kapitalit, të cilat sipas zyrtarëve e bënin më pak transparente pronësinë e saj.

Sipas të njëjtave burime, këto problematika mund të krijonin vështirësi edhe për integrimin e sistemit hungarez në strukturat mbrojtëse të NATO-s.

Megjithatë, sipas investigimit, kundërshtimet nuk e ndalën projektin.

Në janar 2024, mbikëqyrja e zhvillimeve të industrisë hapësinore u transferua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë te Ministria e Ekonomisë Kombëtare, e drejtuar nga Márton Nagy.

Direkt36 citon një burim sipas të cilit ky ndryshim i dha 4iG-së më shumë hapësirë për të avancuar në projekt. Vetë Orsolya Ferencz ka deklaruar se kompetencat u transferuan nga institucioni që ajo drejtonte, pavarësisht se Ministria e Ekonomisë Kombëtare nuk kishte të njëjtën ekspertizë teknike për industrinë hapësinore.

Nga satelitët te industria e mbrojtjes

Hetimi i fundit nuk është rasti i parë ku Direkt36 ka shqyrtuar marrëdhëniet mes 4iG-së dhe shtetit hungarez.

Në një investigim të publikuar në prill 2026, Direkt36 raportoi se dokumente të siguruara nga media tregonin se fonde shtetërore ishin kanalizuar në mënyrë jo transparente drejt 4iG-së, në një periudhë kur qeveria po vendoste t’i shiste kompanisë disa kompani shtetërore të industrisë së mbrojtjes.

Këto zhvillime e kanë zgjeruar profilin e 4iG-së përtej telekomunikacionit. Grupi është përfshirë në sektorë që lidhen me teknologjinë e mbrojtjes, hapësirën dhe infrastrukturën strategjike.

Edhe në Shqipëri, prania e grupit është e dokumentuar përmes ONE Albania. Autoriteti i Konkurrencës miratoi në vitin 2022 përqendrimin përmes të cilit 4iG fitoi kontrollin e Albania Telecom Invest, e cila zotëronte 99.899% të One Telecommunications.

Çfarë lidh 4iG-në me Shqipërinë?

Prania e 4iG-së në tregun shqiptar nuk kufizohet vetëm te shërbimet celulare. Dokumentet e grupit tregojnë se ONE Albania po zhvillon investime të rëndësishme në rrjetin 5G.

Sipas njoftimit të vetë 4iG-së, grupi ka planifikuar një investim prej 50 milionë eurosh në pajisje të rrjetit mobil të ONE Albania, në bashkëpunim me Ericsson.

Ndërkohë, dokumentet e Autoritetit të Konkurrencës tregojnë se grupi 4iG vazhdon të jetë aktiv në sektorë të teknologjisë dhe shërbimeve digjitale në Shqipëri. Në një procedurë të vitit 2026, autoriteti shqiptar e identifikon ONE Albania si pjesë të grupit 4iG.

Kjo e bën zhvillimin në Hungari me interes edhe për Shqipërinë, veçanërisht për shkak të profilit që 4iG po ndërton në teknologjinë e komunikimit, infrastrukturën digjitale, mbrojtjen dhe sektorin hapësinor.

Hetimi i Direkt36, megjithatë, lidhet me vendimmarrjen dhe zhvillimet në Hungari dhe nuk paraqet prova se të njëjtat problematika të raportuara atje ekzistojnë edhe në Shqipëri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.