Sot, më 11 janar, ka nisur procesi mësimor në të gjithë vendin. Pas pushime dimërore të festave të fundvitit, të gjithë nxënësit e arsimit fillor dhe parauniversitar janë kthyer në bankat e shkollës.
Por në Elbasan, nxënësit e një prej shkollave 9 vjeçare atje, kanë bojkotuar ditën e parë të mësimit. Për shkak të kushteve atmosferike, nxënësit e shkollës “Europa” kanë dalë në protestë bashkë me prindërit dhe kërkojnë ngrohje.
“Mbajmë ndonjë rezistencë, por edhe ajo nuk ngroh, ka raste që bie edhe automati. Nuk shkruajmë dot në shkollë të veshur kaq trash, e gjithë shkolla nuk ka ngrohëse. Bashkia na kishte premtuar se do të vendoste kaldaja, por premtimi nuk u mbajt”, është shprehur një nxënës.
Sipas prindërve, kaldajat e shkollës kanë tre vite që kanë dalë jashtë funksionit dhe fëmijët e tyre shkojnë në shkollë me veshje të trasha për të mos u ftohur.
“Kam shumë ftohtë. Nuk shkruaj dot. Vij nga shtëpia me xhup, me shall, me dorashka dhe nuk shkruaj dot. Pavarësisht se s’ka bërë shumë ftohtë deri tani, do të bëjë. Kemi kaluar 5-6 vite pa ngrohje. Duam ngrohje dhe kjo është thirrja kryesore”, ka thënë një prej nxënësve.



