“O çuna nuk jam kriminel”, momentet e rrëmbimit të Gerond Meçes
Emisioni “Në Shënjestër” publikoi këtë të martë detaje tronditëse nga dosja hetimore e AKSHI-t, ku zbardhet edhe rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe. Ky i fundit ka rrëfyer para hetuesve një nga ngjarjet më të rënda të jetës së tij, momentin kur u mor peng nga persona që u prezantuan si përfaqësues të strukturave të posaçme të drejtësisë.
Sipas dëshmisë së Meçes, gjithçka ndodhi në parkingun poshtë pallatit ku banonte, në momentin kur ai po i drejtohej makinës së tij tip “Hyundai”, të parkuar pranë godinës. Teksa po vendoste çantat në bagazh, pranë tij u afrua një automjet tip “Range Defender”, ngjyrë e zezë, i pajisur me fenelina policie dhe me targa shqiptare, të cilat më vonë rezultuan AC121 JJ.
Një nga personat në automjet e thirri në emër dhe i tha se ishte nga SPAK, duke i kërkuar të hipte në makinë. Personi mbante veshur uniformë blu dhe jelek të verdhë me mbishkrimin BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit), çka e bindi Meçen se kishte të bënte me punonjës të ligjit.
I ndodhur përballë një situate të papritur dhe duke mos dyshuar për ndonjë rrezik, biznesmeni nuk bëri rezistencë. Ai u bind, duke besuar se personat që e ndaluan ishin realisht pjesë e strukturave shtetërore.
Pasi hipi në makinë, Meçe vuri re se edhe dy persona të tjerë ishin të veshur si policë, pa maska, ndërsa shoferi ishte i maskuar. Dy prej tyre kishin tatuazhe në duar, ndërsa një tjetër kishte një tatuazh bardhë e zi në gjithë parakrahun.
Në një moment, ai u kërkoi dokumentin apo shkresën zyrtare për shoqërimin e tij, siç parashikohet nga procedurat ligjore. Por përgjigjja që mori ishte tronditëse: pa i dhënë asnjë shpjegim, ata i vendosën prangat.
“Në atë moment unë u thashë: ‘O çuna, unë nuk jam kriminel’”, ka deklaruar Meçe para hetuesve.
Sipas tij, reagimi ishte agresiv. Njëri prej personave iu hakërrye me tone të ashpra, duke e pyetur se kë po quante kriminel. Pikërisht në këtë çast, shoferi urdhëroi që t’i vendosej një kapuç i zi në kokë.
Ky moment shënoi edhe kthesën vendimtare, kur Gerond Meçe kuptoi se nuk kishte të bënte me SPAK-un apo BKH-në, por me një grup keqbërësish që e kishin futur në kurth.
Drama u thellua edhe më tej kur, gjatë daljes nga parkingu, ai pa nga dritarja babain e tij që kalonte pranë makinës, pa pasur asnjë mundësi të kërkonte ndihmë.
Një skenë e dhimbshme, që sipas dëshmisë së tij, e bëri të kuptojë se jeta e tij ishte realisht në rrezik, ndërsa automjeti devijoi nga rruga drejt Tiranës, duke u drejtuar drejt një zone jashtë qytetit.
Ngjarja, sipas hetimeve, lidhet me përpjekjet për ta detyruar biznesmenin të tërhiqej nga ankimimet dhe procedurat e tenderëve ku ai merrte pjesë pranë AKSHI-t, duke përdorur frikën, dhunën psikologjike dhe rrëmbimin si mjet presioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



