‘O qorre nuk sheh ti’, dy motrat dhunojnë oficeren brenda komisariatit
Dy vajza kanë përfunduar në pranga në Tiranë, pasi ushtruan dhunë ndaj një efektiveje policie pranë Komisariatit nr. 3.
Të arrestuarat janë shtetaset M. A., 38 vjeçe dhe R. A., 29 vjeçe, motra me njëra-tjetrën, të cilat dyshohet se kanë goditur një oficere policie për shkak të detyrës. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të ambienteve të komisariatit, ku efektivja shërbente.
Sipas informacioneve, konflikti ka nisur për një arsye banale. Oficerja, e cila ishte e veshur me rroba civile dhe jo me uniformë, po kalonte rrugën për t’u futur në komisariat, në momentin kur motrat po lëviznin me automjet. Ato kanë nisur ta ofendojnë, duke e akuzuar se nuk po i kushtonte vëmendje trafikut.
Pas shkëmbimeve verbale, motrat kanë parkuar makinën dhe i kanë zënë pritë efektives pak metra para hyrjes së komisariatit. Policja i ka paralajmëruar se ishte punonjëse policie dhe i ka kërkuar të ndalonin, por paralajmërimi nuk është marrë seriozisht.
“O qorre, nuk sheh kur kalojmë ne? Kë gënjen ti?”, mësohet se i janë drejtuar efektives.
Fillimisht konflikti ka qenë verbal, por situata ka përshkallëzuar shpejt në dhunë fizike. Vetëm ndërhyrja e punonjësve të tjerë të Komisariatit nr. 3 ka bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe shoqërimin e dy motrave, të cilat më pas janë arrestuar.
Policia njofton se ndaj tyre po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



