Operacioni vihet në pikëpyetje, Erion Veliaj nuk paraqitet në spitalin e Fierit për analizat
Erion Veliaj nuk është paraqitur në Spitalin Memorial të Fierit për të kryer ekzaminimet paraprake që duhej t’i paraprinin ndërhyrjes kirurgjikale të planifikuar për të hënën, më 23 nëntor.
Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim, ka bërë të ditur se nuk do t’i nënshtrohet procedurave në këtë institucion përpara se të marrë një përgjigje nga Gjykata e Posaçme (GJKKO). Ai i është drejtuar kësaj gjykate me kërkesën që të shqyrtojë dhe të vendosë mbi kushtet në të cilat do të realizohet operacioni.
“Unë jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në Spitalin Memorial Fier”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj.
Ndërhyrja në këmbë ishte planifikuar të kryhej më 23 nëntor, ndërsa përgatitjet mjekësore duhej të zhvilloheshin një ditë më parë. Për këtë arsye, autoritetet e burgjeve kishin parashikuar kryerjen e analizave dhe kontrolleve të nevojshme përpara operacionit.
Në komunikimet e mëparshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte bërë të ditur se Veliaj mund të shoqërohej gjatë këtij procesi edhe nga një mjek i zgjedhur prej tij. Mundësia ishte parashikuar si për kontrollet paraprake të 22 nëntorit, ashtu edhe për ditën e ndërhyrjes, ose për të dyja.
Sipas versionit të administratës së burgjeve, mjekut të përzgjedhur nga Veliaj i ishte krijuar mundësia ta vizitonte atë në burgun e Fierit që më 18 nëntor dhe të njihte dokumentacionin shëndetësor, por ai nuk ishte paraqitur.
Tashmë, realizimi i ndërhyrjes së planifikuar për të hënën mbetet i lidhur me vendimmarrjen e GJKKO-së dhe qëndrimin e palëve për procedurën mjekësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



