Opozita kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Pas masës së arrestit në shtëpi ndaj Vlora Hysenit, opozita i kërkon Presidentit Begaj mbledhjen urgjente
Tabaku kërkon verifikimin e cenimit të informacionit shtetëror dhe sigurisë kombëtare pas zhvillimeve në SHISH dhe Policinë e Shtetit.
Opozita ka reaguar pas masës së sigurisë të vendosur ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke i kërkuar Presidentit Bajram Begaj të thërrasë sa më shpejt Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Kërkesa vjen në një ditë kur SPAK ka zhvilluar një aksion të gjerë, në kuadër të të cilit GJKKO ka vendosur masën e arrestit në shtëpi dhe pezullimin nga detyra për Hysenin. Në të njëjtën kohë, janë kryer kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili më pas është paraqitur në ambientet e SPAK.
Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, ka kërkuar që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të shqyrtohet nëse zhvillimet e fundit kanë prekur informacionet shtetërore, funksionimin e institucioneve të sigurisë apo sigurinë e qytetarëve.
Sipas Tabakut, hetimet duhet të vijojnë pa pengesa dhe drejtësia duhet të zbardhë plotësisht çdo përgjegjësi që mund të rezultojë nga hetimi.
Në reagimin e saj, opozita e ka lidhur situatën me hetimet që lidhen me dosjen e AKSHI-t dhe Ergys Agasin, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe përgjegjësinë politike.
Ndërkohë, masa ndaj Vlora Hysenit është vendosur në kuadër të një hetimi të SPAK, ndërsa burime mediatike kanë raportuar se ajo po hetohet për dyshime që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit hetimor.
Opozita kërkon që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar situatën dhe për të vlerësuar nëse ka pasur cenim të informacionit shtetëror apo të mekanizmave institucionalë të sigurisë.
Kërkesa vjen ndërsa aksioni i SPAK vijon dhe pritet të dalin detaje të tjera mbi personat dhe rrethanat që janë objekt i hetimit.
Reagimi i plotë:
Shqipëria është gdhirë sot me raportimet për një masë sigurie ndaj drejtueses së SHISH dhe kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për Ergys Agasin dhe dosjen AKSHI. Një ditë pas spektaklit propagandistik të ministrit të Brendshëm, shqiptarët përballen me dyshime që prekin majat e institucioneve përgjegjëse për sigurinë e tyre.
Kjo është pamja e një sistemi të kalbur që po shkatërron Shqipërinë, pasi ka rrënuar themelet e shtetit. Kur hetimet për një grup të strukturuar kriminal mbërrijnë deri te drejtuesit e institucioneve të sigurisë, pyetja bëhet e pashmangshme: kujt i kanë shërbyer këto institucione? Qytetarëve që duhet të mbronin, apo pushtetit dhe interesave që duhet të hetonin?
Çdo ditë bie një copë nga muri i propagandës dhe pas tij shfaqen rrënjët e krimit, korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me qeverisjen. Përgjegjësia politike ka emër: Edi Rama. Ai i ka zgjedhur këta drejtues, i ka promovuar dhe ua ka paraqitur shqiptarëve si fytyrën e shtetit të tij. Sot u detyrohet përgjigje.
Presidenti i Republikës duhet të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve. Shqipëria nuk mund të presë shfaqjen e radhës të propagandës, ndërsa dyshimet prekin vetë strukturat që duhet ta mbrojnë.
Drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, pa mburoja politike dhe pa pengesa. Por përgjegjësia politike nuk mund të shtyhet pafund, duke pritur që për çdo hallkë të këtij sistemi të flasë prokuroria.
Kjo qeverisje është burimi i sëmundjes. Largimi i saj është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë shërimit të një vendi ku shqiptarët varfërohen, ndërsa një pakicë pasurohet nga pushteti, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria.
Koha për ndryshim! Koha për ta çrrënjosur këtë sistem! Koha që kjo shumicë të largohet!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



