Opozita zbarkon sot në shesh: Rama dhe Lubi Balluku të dorëhiqen!
Sot, në Bulevardi Dëshmorët e Kombit, opozita do të zhvillojë një protestë kombëtare, të cilën e cilëson si një përballje të drejtpërdrejtë me korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit.
Tubimi është parashikuar të nisë në orën 18:00, përpara godinës së Kryeministrisë. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i lidhur kërkesat me atë që e konsideron si seri skandalesh që kanë tronditur qeverinë.
Partia Demokratike e Shqipërisë thekson se protesta përfaqëson reagimin e qytetarëve kundër pandëshkueshmërisë dhe kapjes së shtetit. Kryetari i saj, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë vendi të bashkohen në shesh, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e demokracisë.
Sipas deklaratave të mëhershme, aksioni opozitar pritet të vijojë edhe pas kësaj proteste, ndërsa nuk përjashtohet përshkallëzimi i situatës nëse, sipas opozitës, nuk do të ketë reflektim nga qeveria.
Kujtohet se në protestën e 10 shkurtit, e cila zgjati rreth tre orë, pati tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, me përdorim të lëndëve piroteknike, gurëve dhe molotovëve, ndërsa policia ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës, si dhe shoqërime e arrestime.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



