Orest Sota me probleme, përfundon në Spitalin e Burgut
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të rrëzojë kërkesat e të dyshuarve në dosjen e njohur si “ARUBA”, duke lënë në fuqi masat e sigurisë të dhëna më herët nga Shkalla e Parë.
Vendimi u mor këtë të mërkurë nga gjyqtari Dhimitër Lara, i cili shqyrtoi ankimet e disa personave nën hetim, të përfshirë në këtë çështje që lidhet me trafikun e kokainës. Konkretisht, Apeli konfirmoi urdhrat e mëparshëm për Orest Sotën, Dritan Agën, Edmond Jaupin, Orges Birçajn dhe Leonard Bishajn.
Sipas vendimit zyrtar, u miratua urdhri nr. 44, datë 14 qershor 2026, për disa prej të hetuarve, si dhe urdhri nr. 46, datë 17 qershor 2026, për një tjetër të përfshirë në këtë dosje. Këto masa sigurie mbeten në fuqi, duke refuzuar çdo kërkesë për ndryshim apo lehtësim të tyre.
Gjatë seancës u bë e ditur gjithashtu se biznesmeni Orest Sota është transferuar nga paraburgimi drejt Spitalit të Burgut, për shkak të problemeve shëndetësore. Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi gjendjen e tij, por burimet konfirmojnë se trajtimi mjekësor po vijon nën mbikëqyrje.
Dosja “ARUBA” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të kohëve të fundit, që lidhet me aktivitetin e dyshuar të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë.
VENDIMI I APELIT
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Dhimitër Lara, sot, më datë 30.07.2026, disponoi për çështjen penale nr. 32 akti, datë 21.07.2026 regjistrimi, dhe për çështjen penale nr. 32 akti, datë 21.07.2026 regjistrimi, të bashkuara sipas nenit 79 të K.Pr.Penale, mbi ankimet e personave nën hetim/ankuesve D.A., O.S., O.B., G.I., E.J. dhe L.B., në lëndë të masave të sigurimit, si vijon:
- Miratimin e urdhrit nr. 44, datë 14.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarit z. O.S., z. D.A., z. E.J. dhe z. O.B.
- Miratimin e urdhrit nr. 46, datë 17.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarin z. L.B.
U shpall më 30.07.2026.
Emrat:
- Miratimin e Urdhrit nr. 44, datë 14.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarit z. Orest Sota, z. Dritan Aga, z. Edmond Jaupi dhe z. Orges Birçaj.
- Miratimin e Urdhrit nr. 46, datë 17.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të hetuarin z. Leonard Bishaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



