E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pacienti denoncon Family Hospital: Bëri hundën, s’merr dot frymë
Lajme

Pacienti denoncon Family Hospital: Bëri hundën, s’merr dot frymë

Një denoncim i fortë është bërë publik, ku një qytetar pretendon se pas një operacioni në hundë, jo vetëm që nuk ka marrë rezultatin e premtuar, por gjendja e tij shëndetësore dhe estetike është përkeqësuar ndjeshëm.

Franci Ajdinaj tregon se ndërhyrjen e ka kryer pranë Family Hospital, nga mjeku Tedi Minarolli. Sipas tij, fillimisht kishte një problem të lehtë me frymëmarrjen dhe vendosi që, krahas ndërhyrjes funksionale, të realizonte edhe një korrigjim estetik.

“Shkova për një problem të vogël me frymëmarrjen dhe mendova të rregulloja edhe pjesën estetike. Mjeku më tha se ndërhyrja bëhej vetëm në privat, ndaj vendosa ta bëj te Family Hospital,” shprehet Ajdinaj.

Ai thekson se kishte rënë dakord me mjekun për një operacion me teknikë të hapur, por pas ndërhyrjes kuptoi se ishte përdorur teknikë e mbyllur.

“Kur dola nga operacioni dhe e kuptova që ishte bërë me teknikë të mbyllur, e pyeta mjekun pse nuk u bë siç ramë dakord. Ai më tha se është e njëjta gjë”, tregon qytetari.

Sipas Ajdinajt, pas operacionit hunda i ka mbetur e shtrembër dhe problemet me frymëmarrjen janë përkeqësuar krahasuar me gjendjen para ndërhyrjes. Ai shton se ka kryer konsulta të tjera mjekësore dhe i është sugjeruar ribërja e operacionit, por kjo do të kërkonte materiale kockore nga veshi ose brinja dhe një kosto që varion nga 15 deri në 20 mijë euro.

Qytetari pretendon se klinika nuk ka pranuar të mbajë përgjegjësi dhe nuk ka ofruar zgjidhje për korrigjimin e situatës. Ai thotë gjithashtu se disponon dokument konsulte nga një spital tjetër, ku rekomandohet ndërhyrje e re kirurgjikale.

Gazetarët e “Fiks Fare” janë paraqitur në ambientet e klinikës për të marrë një reagim zyrtar. Fillimisht, menaxherja është shprehur se do të pyeste administratorin nëse mund të jepte një prononcim, por më pas ka refuzuar të flasë dhe ka kërkuar që ekipi të largohej nga ambientet.

“nuk dua të jap asnjë përgjigje edhe pse e njoh rastin”.

Sipas emisionit, gjatë momentit të tensionuar, menaxherja ka goditur kamerën dhe mikrofonin e gazetarëve, duke ndërprerë komunikimin me median.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.