Pala kosovare u kërkon pasaportë vaksine ose test Covid-i/ Disa qytetarë tentojnë bllokimin e pikës hyrëse në Morinë, ndërhyn policia
Disa qytetarë kanë tentuar të bllokojnë pikën hyrëse në Morinë. Sipas “News 24” qytetarët po kthehen në doganë nga pala kosovare, e cila u kërkon pasaportë vaksine ose test Covid-i për të kaluar kufirin.

Ndërkaq, qytetarët mund të kalojnë pa problem nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, ku nuk kërkohet pasaportë vaksine apo test Covid. Mësohet se policia ka ndërhyrë dhe situata në Morinë për momentin është normalizuar.
MASAT E REJA
Nga sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID të marra nga Qeveria e Kosovës që do të vijojnë deri më 13 shtator. Vendimi për masat e reja është marrë të shtunën në mbledhjen e 32-të të Qeverisë së Kosovës.
Një prej masave të marra është shtyrja e fillimit të vitit shkollor deri më 13 shtator, më pas kufizimi i orarit të restoranteve deri në ora 21:30 dhe vetëm në ambiente të hapura. Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 5 të mëngjesit.
Po ashtu qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshmi të vaksinimit, test PCR në 72 orët e fundit apo test serologjik në 30 ditët e fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



