Pamje lufte, degradon keq fare Unaza e Poshtme e Burrelit
Situata në Burrel vijon të mbetet shqetësuese, pasi rrëshqitjet e tokës në Unazën e Poshtme të qytetit kanë shkaktuar dëmtime serioze në një segment rrugor të ndërtuar vetëm pak kohë më parë. Megjithëse institucionet janë vënë në dijeni prej javësh për problematikën, ndërhyrjet konkrete për stabilizimin e zonës ende nuk kanë nisur.

Rreth një muaj më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se kishte realizuar inspektime në terren pas shfaqjes së rrëshqitjeve në këtë aks. Projekti për rikonstruksionin e Unazës së Poshtme ishte financuar nga ARRSH me një fond prej rreth 128 milionë lekësh të reja.
Punimet janë realizuar nga kompania ULZA sh.p.k, në pronësi të ndërtuesit Ndue Shpani. Kjo kompani ka qenë përfituese edhe e disa projekteve të tjera publike në qarkun e Matit, përfshirë rikonstruksionin e katër shkollave si dhe realizimin e projektit “Parku Tematik” në Bulqizë.

Sipas informacionit zyrtar nga ARRSH, një studim gjeologjik i kryer nga një kompani e licencuar ka identifikuar disa plane rrëshqitjeje në zonë. Këto lëvizje të tokës variojnë nga 4 deri në 13 metra, duke tejkaluar parashikimet që ishin bërë në projektin fillestar të zbatimit.
Institucioni ka deklaruar se po realizon një analizë më të detajuar teknike për të kuptuar shkaqet e fenomenit dhe për të përcaktuar një zgjidhje tekniko-ekonomike që do të mundësojë stabilizimin e terrenit dhe mbrojtjen e investimit të kryer.

Megjithatë, pavarësisht se kanë kaluar javë që nga evidentimi i problemit nga ekspertët, në terren nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje për riparimin e dëmtimeve apo për parandalimin e përkeqësimit të situatës.
Segmenti rrugor, me gjatësi rreth 900 metra, është përballur deri tani me katër shembje, dy prej të cilave konsiderohen të mëdha dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e rrugës. Specialistët paralajmërojnë se kostoja e rehabilitimit po rritet nga dita në ditë, pasi procesi i rrëshqitjes së tokës vazhdon të thellohet.

Projekti për sistemimin dhe asfaltimin e Unazës së Burrelit është financuar nga qeveria shqiptare përmes ARRSH dhe ka një vlerë totale prej rreth 1.2 milionë eurosh. Punimet përfunduan në tetor të vitit të kaluar, por objekti ende nuk është kolauduar dhe nuk është marrë zyrtarisht në dorëzim nga autoriteti rrugor.

Për shkak të dëmtimeve të krijuara gjatë muajve të fundit, pritet që për këtë segment të nevojitet edhe një investim shtesë, me qëllim eliminimin e shembjeve dhe garantimin e qëndrueshmërisë së rrugës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



