E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paraja jashtë bankave arrin rekord, mbi 5.6 miliardë euro cash në duart e shqiptarëve
Lajme

Paraja jashtë bankave arrin rekord, mbi 5.6 miliardë euro cash në duart e shqiptarëve

Paraja jashtë bankave arrin rekord, mbi 5.6 miliardë euro cash në duart e shqiptarëve

Sasia e parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar në Shqipëri ka arritur një nivel rekord, duke kapur në muajin korrik rreth 522.5 miliardë lekë, ose mbi 5.6 miliardë euro.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë një rritje të ndjeshme të parasë fizike në qarkullim, në një kohë kur Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në tregun valutor përmes blerjes së euros.

Sipas të dhënave, gjatë dy viteve të fundit Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 2 miliardë euro në treg. Këto ndërhyrje kanë sjellë injektimin e një sasie të konsiderueshme lekësh në ekonomi. Vetëm gjatë viteve 2024-2025, përmes operacioneve të blerjes së valutës, në treg janë injektuar më shumë se 200 miliardë lekë.

Një pjesë e kësaj likuiditeti përfundon jashtë sistemit bankar. Të dhënat historike tregojnë se rreth 20 për qind e parave të injektuara nëpërmjet këtyre operacioneve mund të kthehen në cash në duart e publikut, ndërsa pjesa tjetër qëndron në formën e depozitave bankare.

Rritja e parasë jashtë bankave është shoqëruar edhe me zgjerim të bazës monetare. Në terma vjetorë, baza monetare është rritur me 17.3 për qind, paraja jashtë bankave me 16 për qind, ndërsa agregati monetar M2 me 16.7 për qind.

Këto zhvillime kanë ngritur pikëpyetje mbi efektet që mund të ketë injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit në ekonomi. Një sasi më e madhe lekësh në qarkullim mund të ndikojë në kërkesën e brendshme dhe, në varësi të kushteve ekonomike, të krijojë presione shtesë mbi çmimet.

Banka e Shqipërisë ka argumentuar se ndërhyrjet në tregun valutor kanë synuar të frenojnë dobësimin e euros përballë lekut. Megjithatë, rritja e shpejtë e parasë në qarkullim mbetet një prej elementëve që kërkon vëmendje, veçanërisht në një ekonomi ku informaliteti dhe përdorimi i cash-it vazhdojnë të jenë të larta.

Në këtë situatë, rekordi prej 522.5 miliardë lekësh jashtë sistemit bankar tregon se përdorimi i parasë fizike mbetet ende jashtëzakonisht i rëndësishëm në ekonominë shqiptare.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.