E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paralajmërimi i Hitës: Ata që i ndezin do të përballen me drejtësinë!
Lajme

Paralajmërimi i Hitës: Ata që i ndezin do të përballen me drejtësinë!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se strukturat policore kanë nisur më herët masat parandaluese për sezonin veror, në funksion të parandalimit të zjarreve që rrezikojnë jetën, pronën dhe mjedisin.

Gjatë aktivitetit për prezantimin e masave për përballimin e situatave me zjarre dhe koordinimin mes institucioneve në terren, Hita theksoi rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit mes strukturave shtetërore.

Sipas tij, koordinimi mes Policisë së Shtetit, shërbimit zjarrfikës, Emergjencave Civile dhe Urgjencës Kombëtare është thelbësor për minimizimin e pasojave dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

“Çdo sekondë është e vlefshme. Reagimi në kohë është çelësi për parandalimin dhe neutralizimin e zjarreve, si dhe garancia për të shpëtuar jetë në rrezik”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë bëri të ditur se janë marrë kontakte me administratorët e njësive administrative dhe se blegtorët do të njoftohen për përgjegjësitë që mbajnë në territoret që kanë në përdorim.

Ai paralajmëroi se çdo person që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, do të përballet me drejtësinë.

“Jemi të vendosur të çojmë para ligjit të gjithë ata që rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve duke shkaktuar zjarre”, u shpreh drejtori i Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij, Hita vlerësoi edhe punën e efektivëve zjarrfikës dhe policorë, të cilët sipas tij përballen çdo ditë me situata të rrezikshme në shërbim të qytetarëve.

Ai theksoi se sezoni i verës mbetet një periudhë me risk të lartë për shpërthimin e vatrave të zjarrit, ndaj institucionet do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë në të gjithë vendin.

Deklarata e plotë:

Kam kënaqësinë të jem sot mes jush, për të shprehur respektin dhe mirënjohjen për një nga shërbimet e rëndësishme dhe të sakrificës në vendin tonë.

Puna juaj nuk është thjesht një detyrë. Ashtu si misioni i Policisë së Shtetit, dhe misioni juaj është në shërbim të jetës dhe pronës së qytetarëve.

Në çdo rast emergjence, në çdo vatër zjarri, në çdo situatë rreziku për jetën dhe pronën e qytetarëve, ju keni qenë në vijën e parë, me guxim, profesionalizëm dhe përkushtim.

Ngjarjet e fundit treguan dhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe koordinimit mes shërbimit zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor, për të bërë të mundur reagimin e shpejtë, evakuimin në kohë të banorëve dhe minimizimin e pasojave.

Çdo sekondë është e vlefshme ndaj reagimi në kohë, është çelësi i parandalimit dhe neutralizimit të zjarrit, dhe garancia për të shpëtuar jetët në rrezik.

Ndaj, Policia e Shtetit e konsideron bashkëpunimin me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe Urgjencën Kombëtare, të domosdoshëm për garantimin e jetës dhe pronës së qytetarëve, nga fatkeqësitë, dhe për përballimin e emergjencave.
Ne do të vijojmë të forcojmë këtë bashkëpunim, duke ndarë përgjegjësi, kapacitete dhe angazhim të përbashkët në shërbim të qytetarëve.

Tashmë fillon sezoni i verës dhe rreziku për rënie të zjarreve është shumë më i madh. Policia e Shtetit ka filluar punën më herët në drejtim të marrjes së masave parandaluese. Kemi filluar të marrim kontakt me administratorët e njësive administrative, si dhe do t’iu dërgohet njoftim të gjithë blegtorëve, për territorin që kanë marrë në përdorim, se në rast se bie zjarr, ata janë përgjegjës për atë territor.

Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Në përfundim dua të shpreh vlerësim për çdo efektiv zjarrfikës që shpesh në kushte të vështira dhe përballë rrezikut real, vijon të kryejë detyrën me dinjitet dhe përgjegjësi të lartë, bashkërisht me punonjësit e Policisë së Shtetit.

Ky është misioni ynë fisnik, t’iu shërbejmë qytetarëve në çdo situatë, duke rrezikuar dhe jetët tona.

Ju falënderoj për punën, sakrificën dhe kontributin tuaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.