Pas Ballukut, edhe dy ministra të tjerë në shënjestër të SPAK?
Gazetarja Anduena Llabani, ka bërë deklarata të forta lidhur me hetimet që po zhvillohen nga SPAK ndaj disa zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Llabani tha se, përveç zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në hetim ndodhen edhe dy ministra të tjerë, të cilët i përshkroi si bashkëpunëtorë të afërt të saj. Sipas gazetares, një prej tyre është nën verifikim për mënyrën e shpërndarjes së rreth 150 milionë dollarëve fonde publike, ndërsa një tjetër ministre lidhet me çështje që prekin sigurinë kombëtare.
“Është e papranueshme që siguria e vendit të vihet në rrezik nga persona që nuk kanë integritetin e duhur. Ka shumë elementë që po hetohen dhe që lidhen me përdorimin e buxhetit publik,” u shpreh Llabani, duke shtuar se me kaq shumë akuza, nuk është e sigurt nëse zëvendëskryeministrja “do të arrijë të festojë Krishtlindjet”.
Ajo përmendi gjithashtu edhe një kompani në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës, të quajtur “KAYO”, e cila, sipas saj, po verifikohet nga strukturat e brendshme të NATO-s për procedurat e blerjes së armatimeve. “Kjo është një çështje tepër e ndjeshme. Drejtuesit e kësaj shoqërie nuk janë kompetentë dhe rrezikojnë të përsërisin skenarë të dështuar të së kaluarës,” tha gazetarja.
Në përfundim të emisionit, Llabani deklaroi se “Oponencë” do të publikojë në vijim dokumente dhe prova që, sipas saj, do të hedhin dritë mbi “një nga megaskandalet më të mëdha të viteve të fundit” në lidhje me kontratat e armatimeve dhe përdorimin e fondeve publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



