Pas denoncimeve të forta, qeveria “shënjestron” Arben Ahmetajn
“Të vijë të përballet me drejtësinë”
Qeveria ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ditët e fundit ka hedhur pretendime të rënda për përfshirjen e qeverisë dhe disa zyrtarëve në një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve.
Reagimi erdhi nga ministrja për Shtetin dhe Parlamentin, Erjona Ismaili, pas mbledhjes së qeverisë. E pyetur nga gazetarët për akuzat e bëra nga Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, Ismaili i ka cilësuar ato të pabazuara dhe i ka bërë thirrje ish-zyrtarit të përballet me drejtësinë.
“Zotëria, siç hedh llum ndaj punëve të qeverisë, të gjejë guximin dhe të vijë të përballet me drejtësinë”, deklaroi Ismaili.
Akuzat e Arben Ahmetajt u bënë publike disa ditë më parë, kur ish-zëvendëskryeministri publikoi edhe disa audiopërgjime, të cilat sipas tij lidhen me një skemë të mundshme të trafikut të armëve dhe municioneve përmes Shqipërisë.
Në qendër të pretendimeve të Ahmetajt është biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet, të cilin ish-zëvendëskryeministri e përshkruan si mik të afërt të kryeministrit Edi Rama. Në audiopërgjimet e publikuara prej tij përmenden gjithashtu dy persona që flasin ukrainisht dhe rusisht dhe që identifikohen me emrat Igor dhe Sergei.
Sipas versionit të paraqitur nga Ahmetaj, në këto biseda diskutohet për një plan që lidhet me trafikun e armëve dhe municioneve duke përdorur Shqipërinë si pikë tranziti. Ai pretendon se skema mund të realizohet përmes sipërmarrjeve ku Ron Yeffet është partner me ndërmarrjen ushtarake shqiptare Kayo.
Ish-zëvendëskryeministri ka kërkuar që SPAK të kryejë një hetim të plotë dhe të thelluar mbi këto pretendime. Në deklaratat e tij, Ahmetaj ka shprehur gjithashtu shqetësimin se hetimi mund të ndikohet nga kryeministri Edi Rama.
Një pjesë e rëndësishme e akuzave të tij lidhet me origjinën, prodhimin dhe destinacionin e armëve. Ahmetaj ka kërkuar që të bëhet e qartë se në cilat fabrika prodhohen armët, çfarë llojesh prodhohen, cilat patenta përdoren dhe se cilat janë destinacionet e tyre përfundimtare.
Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për mundësinë që në audiopërgjime të jetë diskutuar për armë që mund të kenë ardhur nga vende nën embargo, duke kërkuar që të zbardhet se ku janë dërguar dhe kush ka qenë përgjegjës për transportin apo shitjen e tyre.
“Kush ne? Qeveria e Republikës apo instrumentet kriminale si Timac Defence apo Advanced Arms Technology. Kush e bën prodhimin e armëve, në çfarë fabrike, çfarë lloj armësh dhe patentash janë? A ka armë që kanë ardhur nga vende të embarguara. Ku janë dërguar, kush i ka dërguar? A kanë stemën e Republikës së Shqipërisë apo janë deal-e përtej syve të NATO-s”, është shprehur Ahmetaj.
Përballë këtyre pretendimeve, qeveria ka zgjedhur të distancohet nga akuzat dhe përmes ministres Ismaili ka kërkuar që Ahmetaj të përballet me drejtësinë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet e drejtësisë do të ndërmarrin hapa konkretë për verifikimin e pretendimeve të bëra prej tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



