Pas disa ditësh në QSUT, ish-Presidenti Moisiu del nga spitali
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka lënë pas problemet e fundit shëndetësore dhe është rikthyer në banesën e tij, pasi mori trajtim mjekësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Moisiu u shtrua me urgjencë rreth pesë ditë më parë për shkak të komplikacioneve shëndetësore, por pas ndërhyrjes dhe kujdesit të specializuar nga stafi mjekësor, gjendja e tij është stabilizuar ndjeshëm. Burime pranë QSUT bëjnë me dije se ish-kreu i shtetit aktualisht ndodhet në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut për jetën.
Pas përfundimit të trajtimit në spital, ai është rikthyer në shtëpi, ku pritet të vijojë rikuperimin nën monitorim mjekësor.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka publikuar gjithashtu një fotografi të Alfred Moisiut së bashku me një prej mjekeve që u kujdes për të gjatë qëndrimit në spital, duke e shoqëruar me një mesazh falënderimi për besimin dhe me urime për shëndet të plotë e jetë të gjatë.
Gjendja e përmirësuar e ish-presidentit është pritur me lehtësim nga familjarët, miqtë dhe opinion publik, të cilët kanë shprehur interes të lartë për shëndetin e tij ditët e fundit.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



