Pas helmimeve, “Sori Al” kalon në duar të reja për mbi 2 milionë €
Kompania e kateringut “Sori Al”, e cila u vendos në qendër të vëmendjes publike pas incidentit të helmimit të studentëve në Akademinë e Policisë, ka kaluar në duar të reja. Biznesmenia Alma Tafani ka finalizuar shitjen e aksioneve tek Ramazan Troka për një vlerë totale prej 2 milionë e 36 mijë eurosh, shumë që do të shlyhet në tre këste vjetore, sipas marrëveshjes së nënshkruar mes palëve.
Kontrata e shitblerjes është firmosur më 29 qershor, vetëm pak ditë pas rastit të dytë të raportuar të helmimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë, çka e bën këtë transaksion edhe më të ndjeshëm në aspektin publik dhe institucional. Megjithatë, më herët Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte vendosur të lejojë rifillimin e aktivitetit të kompanisë, duke deklaruar se analizat laboratorike të kryera nuk kishin evidentuar shkelje të standardeve ushqimore.
Emri i Ramazan Trokës nuk është i panjohur në tregun e shërbimeve ushqimore. Ai ka pasur më parë lidhje të drejtpërdrejta biznesi me Alma Tafanin dhe bashkëshortin e saj, Nikolin Jaka. Në vitin 2007, Troka bleu kompaninë “KPL” pikërisht nga Tafani, ndërsa e mbajti në pronësi deri në qershor të vitit të kaluar, kur aksionet iu rikthyen sërish asaj.
Zhvillimet e fundit tregojnë një tërheqje të qartë të Tafanit nga sektori i kateringut. Vetëm një muaj më parë, ajo shiti edhe kompaninë “KPL” tek Mario Haxhiymeri për rreth 45 milionë lekë, ose afërsisht 480 mijë euro, duke mbyllur kështu një cikël të gjatë aktiviteti në këtë industri.
“Sori Al” dhe “KPL” kanë qenë ndër furnitorët kryesorë të institucioneve shtetërore në Shqipëri. Në gjashtë vitet e fundit, të dyja kompanitë kanë përfituar kontrata publike me vlerë mbi 45 milionë euro, duke siguruar ushqime për spitale, repartet ushtarake dhe sistemin penitenciar.
Ndryshimi i pronësisë së “Sori Al” vjen në një moment delikat, ku vëmendja ndaj standardeve të sigurisë ushqimore dhe transparencës në tenderët publikë mbetet më e lartë se kurrë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



