Pas Rrjollit dhe Zvërnecit, bllokohet dhe hyrja në plazhin e Karpenit?
Pas përplasjeve të forta mes banorëve dhe investitorëve në Rrjoll, Zvërnec dhe Librazhd, vëmendja duket se po zhvendoset tashmë drejt Karpenit të Kavajës, ku qytetarët paralajmërojnë një situatë të ngjashme.
Gardhet e vendosura në territore të kundërshtuara nga banorët janë kthyer në simbol të revoltës qytetare në disa zona të vendit. Së fundmi, banorë dhe aktivistë kanë ngritur alarmin se edhe në Karpen po ndodh i njëjti skenar, duke e cilësuar vendosjen e një porte si përpjekje për të kufizuar aksesin në hapësira që konsiderohen publike.
Në reagimet e tyre, qytetarët u bëjnë thirrje banorëve të zonës dhe gjithë qytetarëve të Kavajës që të bashkohen kundër asaj që ata e quajnë “rrethim i bregdetit dhe i interesit publik”. Sipas tyre, në disa raste është kufizuar hyrja në zona bregdetare, duke penguar jo vetëm pushuesit, por edhe vetë banorët.
Ata theksojnë se zhvillimet në Rrjoll, Zvërnec dhe Librazhd kanë treguar se reagimi qytetar mund të ndikojë drejtpërdrejt në ndalimin e projekteve që hasin kundërshti nga banorët. Për këtë arsye, Karpeni shihet si një tjetër pikë e nxehtë në një përplasje që po shtrihet gradualisht në disa zona të vendit.
Ndërkohë, teksa kundërshtimet qytetare janë përhapur në disa qarqe, kritikët pretendojnë se ndërhyrjet në territor po vijojnë, duke ngritur shqetësime për menaxhimin e hapësirave publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



